Ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është marrë në pyetje këtë të martë në SPAK, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për dosjen e AKSHI-t.
Proda është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme dhe ka dhënë deklarimet e tij përpara prokurorëve. Pas përfundimit të marrjes në pyetje, ai është larguar nga godina e SPAK.
Në të njëjtën kohë që ish-drejtori i Policisë po dëshmonte para hetuesve, agjentët kanë ushtruar kontroll edhe në banesën e tij. Sipas raportimeve, kontrollet kanë pasur në fokus gjetjen e materialeve apo provave që mund të kenë interes për hetimin.
Deri në këto momente, SPAK nuk ka bërë të ditura arsyet konkrete për të cilat Proda është thirrur për t’u marrë në pyetje, ndërsa hetimet për dosjen e AKSHI-t vijojnë.







