Në vijim të denoncimeve të publikuara nga Maska.al për dyshime mbi ndërhyrjet, presionet dhe praktikat korruptive brenda administratës doganore, një tjetër rast i rëndë shtohet në këtë seri investigimesh. Këtë herë, në qendër është dosja e 1.6 milionë litrave naftë të importuara nga kompania “Salillari”, për të cilat janë përllogaritur 5.1 milionë euro detyrime fiskale dhe gjobë, por që nuk rezultojnë të jenë arkëtuar.
Denoncimi i ri nxjerr në pah një përplasje të fortë brenda Doganave, ku drejtuesi i kontrolleve aposteriore, Ilir Mino, pretendohet se ka refuzuar të ndërhyjë për heqjen e gjobës, ndërsa një ditë më pas është transferuar nga detyra. Në këtë çështje, sipas burimeve brenda administratës, përmendet edhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Doganave, Erald Delilaj, ndaj të cilit ngrihen akuza për presione të vazhdueshme dhe ndërhyrje në trajtimin e dosjes.
Bëhet fjalë për një faturë prej 468 milionë lekësh, që përfshin detyrimet fiskale dhe gjobën e përllogaritur nga Dogana e Durrësit për karburantin e importuar nga kompania “Salillari”. Sipas burimeve, përplasja brenda institucionit ka shkuar deri në pretendime për ryshfet dhe në diskutimin e mundësisë së një kallëzimi penal në SPAK.
1.6 milionë litra naftë dhe 5.1 milionë euro detyrime të papaguara
Çështja lidhet me importimin e 1.326.546 kilogramëve naftë nga kompania “Salillari”, ekuivalente me rreth 1.6 milionë litra karburant, të deklaruara për përdorim në ndërtimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.
Gjatë trajtimit të kësaj procedure, Dogana e Durrësit ka kryer përllogaritjen e detyrimeve që, sipas dokumentacionit të siguruar, duhet të paguheshin për këtë sasi karburanti.
Nga kontrolli i dokumentacionit janë përllogaritur 156.010.328 lekë detyrime fiskale. Në këtë shumë përfshihen 60,46 milionë lekë akcizë, 42,71 milionë lekë taksë qarkullimi, 4,75 milionë lekë taksë karboni dhe 48,09 milionë lekë TVSH.
Por fatura nuk ndalet këtu.
Përveç detyrimeve fiskale, është përllogaritur edhe një gjobë prej 312.020.656 lekësh, duke e çuar shumën totale në 468.030.984 lekë, ose rreth 5.1 milionë euro.
Megjithatë, kjo shumë nuk rezulton të jetë arkëtuar, ndërsa mënyra se si është trajtuar dosja ka shkaktuar përplasje brenda administratës doganore.
Refuzoi heqjen e gjobës, transferohet Ilir Mino
Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë rast janë pretendimet për ndërhyrje nga nivelet e larta drejtuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Sipas burimeve brenda administratës, drejtuesi i kontrolleve aposteriore, Ilir Mino, është përballur me presione të vazhdueshme nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Erald Delilaj, lidhur me mënyrën se si duhej të trajtohej dosja e kompanisë “Salillari”.
Pretendimet janë se Delilaj ka kërkuar ndërhyrje për heqjen e gjobës, ndërsa Mino ka kundërshtuar një veprim të tillë dhe nuk ka pranuar të ndryshojë qëndrimin për detyrimet e përllogaritura.
Por zhvillimi që pasoi është edhe më domethënës: sipas denoncuesve, një ditë pas refuzimit për të ndërhyrë në gjobë, Ilir Mino është transferuar nga detyra.
Punonjësit e administratës e lidhin këtë vendim me kundërshtimin e tij për të ndryshuar trajtimin e dosjes, duke ngritur dyshime se transferimi mund të ketë qenë një formë presioni ndaj një zyrtari që nuk pranoi të zbatonte kërkesat e pretenduara të eprorëve.
A ishte transferimi një vendim i zakonshëm administrativ apo një masë ndëshkuese pas kundërshtimit për heqjen e një gjobe prej më shumë se 3.1 milionë lekësh të vjetra? Në këtë rast, bëhet fjalë për 312 milionë lekë të vjetra, një shumë që kërkon shpjegime të qarta për fatin e saj.
Akuza për ryshfet dhe ndërhyrje, përplasja drejt kallëzimit në SPAK
Denoncimi shkon edhe më tej, duke ngritur pretendime për ryshfet dhe ndërhyrje në procedurat doganore.
Sipas burimeve, përplasja mes drejtuesve ka agravuar deri në diskutimin e mundësisë së një kallëzimi penal në SPAK, ku mund të paraqiten dokumentacioni dhe rrethanat e presioneve të pretenduara gjatë trajtimit të dosjes.
Nëse këto pretendime provohen, çështja nuk do të kufizohej në një konflikt administrativ mes drejtuesve të Doganave, por do të ngrinte dyshime serioze për ndërhyrje në ushtrimin e funksioneve publike dhe për shmangie të detyrimeve financiare ndaj shtetit.
Përgjegjësitë për mënyrën se si është trajtuar kjo dosje kërkojnë të hetohen deri në fund, veçanërisht për të sqaruar nëse ka pasur përpjekje për të ndryshuar ose anuluar detyrimet e përllogaritura nga strukturat doganore.
Panik në administratën doganore, disa dosje nën presion
Rasti i “Sallillarit” nuk vjen i izoluar. Ai shtohet në një seri denoncimesh të publikuara nga Maska.al, ku punonjës të administratës doganore kanë ngritur pretendime për ndërhyrje në kontrollet aposteriore, bllokim të procedurave dhe presione ndaj specialistëve që evidentojnë shkelje.
Në denoncimet e mëparshme është raportuar edhe rasti i autobotit me naftë të bllokuar në Morinë, ku punonjësit pretenduan se parregullsitë e konstatuara në plumbçet doganore nuk u hetuan deri në fund dhe se për lirimin e automjetit ishte paguar një shumë prej 50 mijë eurosh. Në atë denoncim, si person që dyshohej se kishte ndërhyrë në procedurë u përmend sërish zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Erald Delilaj.
Po ashtu, punonjësit kanë ngritur pretendime se specialistëve të kontrolleve aposteriore u është kërkuar të ndërpresin verifikimet kur konstatojnë shkelje, të tërhiqen nga procedurat dhe të mos vijojnë me hartimin e akteve administrative.
Sipas tyre, në disa raste janë ushtruar presione për të mos vijuar kontrollet, ndërsa janë ngritur edhe dyshime për anulim apo tërheqje të procesverbaleve të hartuara nga specialistët.
Në këtë klimë, denoncuesit pretendojnë se në administratë është krijuar një situatë pasigurie dhe frike, pasi disa dosje janë ende në proces dhe punonjësit druhen se kundërshtimi i urdhrave mund t’u kushtojë me transferime apo masa administrative.
Ku përfundoi nafta e deklaruar për bazën e NATO-s?
Përtej konfliktit brenda Doganave, një tjetër pikë që kërkon sqarim është destinacioni përfundimtar i karburantit.
Autoritetet duhet të verifikojnë nëse e gjithë sasia prej rreth 1.6 milionë litrash naftë është përdorur realisht për punimet e ndërtimit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, sikurse është deklaruar në momentin e importimit.
Nëse karburanti është importuar me një destinacion të caktuar dhe përfitime të lidhura me këtë përdorim, atëherë verifikimi i destinacionit real është thelbësor për të përcaktuar nëse procedura është zbatuar në përputhje me legjislacionin doganor dhe fiskal.
Pyetjet që presin përgjigje nga Doganat
Fatura prej 5.1 milionë eurosh dhe përplasja që pasoi brenda institucionit kërkojnë përgjigje konkrete nga drejtuesit e administratës doganore.
Përse nuk janë arkëtuar detyrimet dhe gjoba e përllogaritur për kompaninë “Sallillari”? A ka pasur kërkesa për anulimin ose heqjen e gjobës? Kush ka ushtruar presion ndaj Ilir Minos dhe përse ai u transferua një ditë pas refuzimit për të ndërhyrë në dosje? A ekziston një kallëzim apo material që po përgatitet për t’iu dorëzuar SPAK-ut? Dhe, mbi të gjitha, a është verifikuar destinacioni përfundimtar i të gjithë karburantit të importuar?
Drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, përfshirë Erald Delilajn, duhet të japin shpjegime për këto pretendime dhe për fatin e një fature prej miliona eurosh që nuk rezulton të jetë paguar.
Një tjetër dosje me miliona euro detyrime, një tjetër denoncim për ndërhyrje dhe presione dhe një tjetër konflikt që përfundon me largimin nga detyra të një drejtuesi që pretendohet se nuk pranoi të ndryshonte qëndrimin e tij. Një seri zhvillimesh që kërkojnë verifikim të plotë nga organet ligjzbatuese.







