Një qytetar i pranishëm në protestën përpara Kryeministrisë ka denoncuar dhunën policore ndaj djalit të tij, i cili sipas tij është dhunuar gjatë protestës studentore dhe ka pësuar frakturë në hundë.
Në një deklaratë për News24, protestuesi tregoi se djali i tij, student, ishte larguar nga protesta në momentin kur është përballur me dhunën e policisë.
Ai tha se e kishte dërguar të birin në Spitalin Ushtarak, ku pas disa ekzaminimeve mjekësore ishte konstatuar fraktura në hundë.
Më tej, ai tha se i riu ishte mbajtur për tre ditë në komisariat, pavarësisht dëmtimit fizik që kishte pësuar.
“Kam qenë pjesë e protestës çdo ditë. Kam çunin student. Ishte në protestë dhe ia thyen hundën. E çova tre ditë në Spitalin Ushtarak. I bënë disa vizita dhe rezultoi që kishte thyer hundën nga dhuna policore. Ka frakturë. Ai po ikte në atë moment për në shtëpi, pasi mori pjesë në protestë. Nuk po bënte asnjë gjë, asnjë sjellje të dhunshme. Ishte tre ditë në komisariat, në qeli, i shoqëruar, me hundën e thyer. Erald Kapri, deputeti i Mundësia, u interesua dhe kërkonte që t’i bëhej vizitë mjekësore djalit. Është si në Serbi, si me Vuçiçin. E njëjta sjellje.”, tha ai.







