Shkarkohet nga detyra Ilir Topi, drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSKDSH). “Boldnews.al” mëson se vendimi është marrë këtë të Mërkurë (23 shtator 2026) nga Ministrja e re e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.
Në krye të institucioni pritet të emërohet Rexhina Bici, e cila aktualisht mban pozicionin e zv.drejtueses së Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH).

Rexhina Bici nuk është aspak e panjohur për stafin e Fondit të Kujdesit Shëndetësor. Disa vite më parë, ajo ka qenë Drejtuese Teknike në kompaninë farmaceutike ‘CFO Pharma”, në pronësi të sipërmarrësit Nadir Çausholli.
Emri i zonjës Bici gjendet edhe në një raport problematik, të hartuar në fillim të vitit 2026 nga ekspertët e Fondit të Kujdesit Shëndetësor, pas verifikimeve të kryera në aktivitetin e subjektit “CFO Pharma” dhe kompani të tjera “satelite” të saj.

Në një dokument të siguruar ekskluzivisht nga “Boldnews.al”, grupi i verifikimit ngriti dyshime për një skemë faturash fiktive, me qëllim rimbursimin e paligjshëm për llogari të “CFO Pharma”.
Ndër personat e dyshuar si përgjegjës për shkeljet me medikamentet e ndryshme, Grupi i Punës rendiste edhe Rexhina Bicin.
“Në total, për “CFO Pharma Tiranë”, për barin Entresto 50 mg Kod LBR 698/92 dhe Entresto 100 mg janë 6900 tableta sasi fiktive pas verifikimeve me vlerën 1,634,955 lekë”, thuhet në një pasazh të raportit.
Më tej, Grupi i Punës shkruan: “Me daljet fiktive që subjekti CFO Pharma Tiranë” me NIPT K22305002U ka berë në sistemin e-depo, diferencat në plus të pajustifikuara rezultojnë në total në shumën 1,634,955 lekë , bazuar ne kontratën Shpërndarës Farmaceutik… dhe mban përgjegjësi Administratori, Z.Frigul Milla. si dhe Drejtuese teknike, Znj. Rexhina Bici”.

Në një tjetër pjesë të raportit të kontrollit, të miratuar në fillim të janarit 2026, thuhet: Në total për “CFO Pharma Tiranë” , për barin Insuline Glargine solution 100 Nj.N/ml, sasi fiktive në vlerën 2,182,352, për barin Insuline Detemir solution 100 Nj.N/ ml , sasi fiktive pas verifikimeve me vlerën 2,337,995 lekë, për barin Vildagliptin+Metformine 50mg + 850mg, sasi fiktive në vlerën 132,517 lekë dhe, për barin Paliperidone 6mg prlg.tab, sasi fiktive pas verifikimeve me vlerën 247,891 lekë.

Pas këtyre konstatimeve, Grupi i Punës i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor thotë se “mban pergjegjesi Administratori Znj.Frigul Milla. si dhe Drejtuese teknike Znj. Rexhina Bici”.








