Tre identitete, dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe ndryshime të të dhënave në sistemin e gjendjes civile. Kjo është pista e një hetimi të Prokurorisë së Tiranës, që ka çuar në pezullimin nga detyra të dy punonjësve të administratës dhe shpalljen në kërkim të një 41-vjeçari shqiptaro-izraelit.
Në kërkim është shpallur David Isaac, alias Indrit Kolleshi, alias Indrit Aliu, ndaj të cilit Prokuroria ka kërkuar masën “arrest në burg” në mungesë, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Sipas hetimit, 41-vjeçari dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara, të paraqitura si dokumente të lëshuara nga autoritetet izraelite, për të ndryshuar identitetin e tij në regjistrat shqiptarë dhe më pas për të siguruar dokumente të reja identifikimi.
Prokuroria thotë se ai kishte ndryshuar më herët emrin dhe mbiemrin nga Indrit Aliu në David Isaac, përmes Zyrës së Gjendjes Civile në Novoselë të Vlorës. Ndryshimi u evidentua më 27 nëntor 2025 gjatë një procedure për riaplikim për pasaportë biometrike në Tiranë, ku iu rikthyen përkohësisht gjeneralitetet e mëparshme.
Por rasti nuk u mbyll aty.
Më 29 dhjetor 2025, gjatë një procedure për ndryshimin e vendbanimit në Njësinë Administrative nr.3 në Tiranë, u kryen sërish veprime për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit. Këtë herë, ndryshimi u mbështet në një dokument që pretendohej se ishte lëshuar nga Ministria e Brendshme e Izraelit.
Sipas organit procedues, ka dyshime se dokumentet në gjuhën hebraike të paraqitura nga 41-vjeçari janë të falsifikuara dhe se ndryshimet në gjendjen civile janë kryer në kundërshtim me kërkesat ligjore.
Në këtë pikë të hetimit janë përfshirë edhe dy punonjës të administratës.
O.O., punonjëse në Njësinë Administrative nr.3 në Tiranë, dyshohet se ka pranuar dokumentin e paraqitur si certifikatë e Ministrisë së Brendshme të Izraelit dhe ka vijuar me ndryshimin e të dhënave, edhe pse në sistem ekzistonin gjeneralitetet e mëparshme të shtetasit.
Ndërsa A.K., specialist IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, është pezulluar nga detyra për shkak të rolit të dyshuar në veprimet e kryera në sistem.
Një tjetër element që ka ngritur dyshime te hetuesit lidhet me përdorimin e një “user”-i në sistemin e gjendjes civile, i cili rezultonte se i përkiste një punonjësi që kishte dalë në pension prej vitesh.
Sipas Prokurorisë, nga ky akses janë kryer një numër i lartë veprimesh për ndryshimin e të dhënave të personave të ndryshëm, mes tyre individë me probleme me ligjin, persona të dënuar dhe të deportuar nga vende të Bashkimit Evropian.
Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar pezullimin nga detyra të O.O. dhe A.K., ndërsa për David Isaac alias Indrit Kolleshi alias Indrit Aliu është kërkuar “arrest në burg” në mungesë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur mënyrën se si janë kryer ndryshimet në regjistrat e gjendjes civile dhe nëse persona të tjerë kanë pasur rol në këtë skemë.







