Qëndresa e përditshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka vijuar edhe sot para Kryeministrisë, duke shënuar ditën e 113-të të protestës.
Edhe këtë mbrëmje, qytetarët kanë shprehur kundërshtimet e tyre përmes pankartave, ku nuk kanë munguar mesazhet ironike ndaj kryeministrit dhe kritikat për korrupsionin dhe mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve.
Në një prej pankartave, Rama është ironizuar me termin “Trajneri”, ndërsa qytetarët kanë përcjellë mesazhin se përçarja i shërben pushtetit.
“Kur ne përçahemi, ‘Trajneri’ feston në pushtet, kur ne bashkohemi, më i fortë bëhet ky shtet!”, shkruhet në pankartë.
Në fokus kanë qenë edhe kërkesat për ndryshime në sistemin zgjedhor dhe luftën kundër korrupsionit.
“Ilaçi kundër korrupsionit: lista të hapura, duart e pastra”, thuhet në njërën prej pankartave, ndërsa një tjetër përcjell mesazhin: “Fund pazareve të kryetarëve, vota u takon qytetarëve”.
Protesta vijon prej 113 ditësh, me qytetarët që çdo ditë mblidhen para Kryeministrisë dhe përcjellin kërkesat e tyre kundër qeverisë.







