Ruben Saraiva, shtetasi portugez i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, kërkon rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lezhës. Çështja është rikthyer në vëmendjen e Gjykatës së Apelit, ku mbrojtja ka paraqitur kundërshtimet e saj ndaj vendimit të shkallës së parë.
Gjatë seancës së zhvilluar këtë të martë, avokati i Saraivës ka pretenduar se gjatë procesit gjyqësor janë shkelur të drejtat procedurale të të pandehurit dhe se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme që e lidhin atë drejtpërdrejt me ekzekutimin e Nikulajt.
Një prej pretendimeve kryesore të mbrojtjes lidhet me përkthimin e dokumentacionit të dosjes. Sipas avokatit, Saraivës, si shtetas portugez, nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet në një gjuhë që ai kupton. Gjithashtu, mbrojtja ka kundërshtuar edhe mënyrën e administrimit të provës së ADN-së, duke pretenduar se ekspertimi është kryer pa pjesëmarrjen dhe kontrollin e saj dhe pa u bërë një krahasim me një kampion të marrë në Shqipëri.
Seanca gjyqësore është shtyrë për datën 24 nëntor, kur pritet që prokuroria të paraqesë qëndrimin e saj lidhur me pretendimet e mbrojtjes.
Ruben Saraiva u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin. Krimi ndodhi në ambientet e hotelit “Coral”, në pronësi të viktimës, ku Nikulaj u qëllua për vdekje nga një person i pajisur me skafandër.
Sipas hetimeve të prokurorisë, vrasja dyshohet se ishte porositur nga Edmond Haxhia, i cili jeton në Britaninë e Madhe, për motive që lidhen me gjakmarrjen. Në këtë ngjarje dyshohet se kanë pasur rol edhe katër shtetas britanikë, të akuzuar për ndihmën në organizimin dhe realizimin e krimit.
Vrasja e Ardian Nikulajt konsiderohet pjesë e një konflikti të gjatë mes familjes së tij dhe fisit Lekstakaj, një përplasje e nisur që prej vitit 1997, e cila ndër vite ka shkaktuar viktima nga të dyja palët.







