Ish futbollisti i Kombëtares, Igli Tare është paraqitur këtë të hënë në SPAK, ku është marrë në pyetje në kuadër të hetimeve për dosjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Ish drejtori sportiv i Milanit është nën hetim për veprën penale të pastrimit të parave. Sipas dyshimeve të prokurorisë, Tare ka fshehur në emër të tij një vilë në Dhërmi, e cila dyshohet se i përket Ballukut dhe është vendosur nën sekuestro me urdhër të SPAK.
Hetimet lidhen me dy tendera me vlerë mbi 1 milion euro, të zhvilluar në kohën kur Balluku drejtonte Albcontrol. Sipas SPAK, kontratat për rikonstruksionin e godinës së kompanisë janë dhënë në shkelje të ligjit ndaj kompanisë së ndërtimit “Eurocol”.
Prokuroria dyshon se në këmbim të përfitimit nga këto tendera, Balluku ka marrë një vilë në bregdetin e Jonit, e cila dyshohet se është regjistruar në emër të Igli Tares.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa pretendimet e prokurorisë mbeten pjesë e një procedure në zhvillim.








