Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar në orët e para të mëngjesit në Ksamil, ku humbi jetën një 20-vjeçar francez.
Miguel Mendes u gjet pa shenja jete rreth orës 05:15, mbi shezlongët e një plazhi pranë një lokali. Nga këqyrja e trupit në morgun e Sarandës, dyshohet se i riu kishte marrë disa goditje me thikë në pjesën e shpinës dhe në kraharor. Plagët e marra besohet se i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka identifikuar si autor të dyshuar 29-vjeçarin Sokrat Vata, banues në Has. Sipas të dhënave paraprake, ai është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas konfliktit dhe vijon të jetë në kërkim.
Vata dyshohet se punonte si roje plazhi në hotelin “Pronciopotes”, në zonën ku ndodhi ngjarja. Policia ka vijuar kontrollet në terren për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivin e konfliktit që parapriu vrasjen. Dyshohet paraprakisht se përplasja ka nisur për motive të dobëta, ndërsa një nga pistat që po verifikohet lidhet me një femër.
Miguel Mendes ndodhej në Shqipëri së bashku me një grup turistësh francezë, me të cilët kishte ardhur për të kaluar pushimet në jug të vendit.







