Një anije mallrash ruse është goditur nga një sulm me dron në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, teksa po udhëtonte drejt enklavës ruse të Kaliningradit. Sipas BBC-së, anija Sparta II është përfshirë nga flakët pas sulmit të ndodhur mëngjesin e së shtunës dhe më pas ka devijuar drejt ujërave territoriale finlandeze.
Autoritetet finlandeze të mbrojtjes dyshojnë se pas sulmit qëndron Ukraina, por Kievi nuk ka bërë ende një reagim zyrtar për ngjarjen.
Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, paralajmëroi se lufta po afrohet gjithnjë e më shumë me territorin e vendit të tij. Megjithatë, ai theksoi se Ukraina ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj agresionit rus.
Nga ana tjetër, guvernatori i Kaliningradit, Alexei Besprozvannykh, deklaroi se, sipas informacioneve paraprake, në sulm janë përdorur dy dronë. Ai siguroi gjithashtu se nuk ka rrezik për furnizimin e enklavës.
Anija Sparta II është subjekt i sanksioneve amerikane që prej vitit 2022, ndërsa Ukraina e ka përfshirë në listën e saj të sanksioneve në fillim të këtij viti.
Sipas autoriteteve amerikane dhe ukrainase, anija operohet nga një kompani ruse, e cila është krijuar në vitin 2011 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë. Që prej vitit 2015, kompania ushtron aktivitetin e saj në kuadër të kompleksit të ndërtimit ushtarak rus.







