Një 50-vjeçar shqiptar është arrestuar në Francë, pasi në kamionin që drejtonte autoritetet zbuluan 114.6 kilogramë kokainë. Sasia e drogës u sekuestrua gjatë një kontrolli doganor në pikën e pagesës së autostradës në Arles, gjatë natës mes 18 dhe 19 nëntorit.
Sipas mediave franceze, kamioni me targa italiane transportonte kryesisht produkte ushqimore për llogari të një rrjeti të madh tregtar. Automjeti u ndalua pak pas mesnatës për kontroll, ku efektivët zbuluan lëndën narkotike të fshehur në mbajtësen e bobinave, një pjesë e kamionit që shërben për stabilizimin e ngarkesës.
Pas zbulimit të kokainës, drejtuesi shqiptar u arrestua dhe iu dorëzua Zyrës Kundër Trafikut të Narkotikëve (OFAST), pranë policisë gjyqësore në Marsejë. Ai është lënë në paraburgim në pritje të procedurave gjyqësore.
Gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me trafikun e drogës. Ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni për kokainën e fshehur në kamion dhe se ajo ishte vendosur aty pa dijeninë dhe miratimin e tij.
Sipas mediave franceze, shqiptari nuk ka precedentë penalë dhe nuk rezulton të ketë qenë më parë në vëmendjen e drejtësisë franceze. Ai pritet të dalë më 24 nëntor përpara Gjykatës së Tarasconit, ku do të përballet me procedurën e gjykimit të menjëhershëm.
Ndaj tij janë ngritur akuza për mbajtje, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për transport të mallrave të ndaluara në shkelje të legjislacionit doganor francez. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur origjinën e kokainës dhe personat që qëndrojnë pas organizimit të këtij transporti.







