Pentagoni ka publikuar pamje të reja të një objekti fluturues të paidentifikuar pranë një anijeje luftarake amerikane në Lindjen e Mesme. Videoja, e regjistruar në vitin 2020, është bërë publike në kuadër të deklasifikimit të dokumenteve që lidhen me fenomenet e paidentifikuara ajrore.
Pamjet zgjasin rreth 20 sekonda dhe tregojnë një objekt në formë rrethore, i cili lëviz nga e djathta në të majtë, duke kaluar pranë anijes amerikane. Për këtë rast, një zyrtar i Pentagonit i tha medias amerikane “The Independent” se autoritetet nuk disponojnë informacione të tjera. Ai theksoi se nuk do të ketë komente apo vlerësime për materialet e publikuara, në mënyrë që publiku të krijojë vetë opinionin e tij.
Ky është publikimi i tetë i dokumenteve të deklasifikuara nga Pentagoni që prej muajit maj, pas udhëzimit të presidentit Donald Trump për të bërë publike të dhënat mbi UFO-t dhe takimet e pretenduara me jashtëtokësorë.
Mes materialeve të publikuara është edhe një raport i vitit 1953, i hartuar nga inxhinieri i kompanisë Lockheed, Clarence “Kelly” Johnson. Në të, ai përshkruante dy objekte të pazakonta që pretendonte se kishte vëzhguar nga ferma e tij në Kaliforni.
Njëri prej tyre ishte një objekt i errët blu, në formë disku, që sipas inxhinierit ishte parë në dhjetor të vitit 1953. Ndërsa objekti tjetër, i raportuar në nëntor 1951, përshkruhej si një trup që lëvizte drejt perëndimit dhe lëshonte një dritë blu të çelët, ngjashëm me një flakë. Johnson kishte përfshirë në raport edhe skica të asaj që pretendonte se kishte parë.
Pavarësisht interesit që kanë ngjallur këto materiale, ekspertët nënvizojnë se identifikimi i një objekti fluturues si i panjohur nuk do të thotë se ai është me origjinë jashtëtokësore.
Çështja e UFO-ve është rikthyer në vëmendje pas deklaratave të Trump në shkurt, kur ai premtoi publikimin e dokumenteve që do të zgjonin interesin e publikut. Megjithatë, fenomeni ka intriguar edhe presidentë të tjerë amerikanë. Bill Clinton ka treguar se kishte kërkuar shqyrtimin e incidentit të Roswell-it të vitit 1947, ndërsa Jimmy Carter dhe Ronald Reagan kanë deklaruar se kishin parë objekte fluturuese të paidentifikuara përpara se të merrnin presidencën.







