Arrestohet Sokrat Vata, 29-vjeçari i dyshuar për vrasjen e turistit francez Miguel Mendes në Ksamil. Vata është lokalizuar dhe ndaluar në Levan të Fierit, ku dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e një automjeti në përpjekje për t’iu shmangur policisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit në Ksamil, ku 20-vjeçari francez Miguel Mendes u gjet pa shenja jete rreth orës 05:15, në shezlongët e një plazhi pranë një lokali.
Nga këqyrja e trupit në morgun e Sarandës, dyshohet se i riu kishte marrë disa goditje me thikë në shpinë dhe në kraharor. Plagët e marra dyshohet se kanë qenë fatale, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Mendes kishte mbërritur në jug të Shqipërisë së bashku me një grup turistësh francezë për të kaluar pushimet.
Në lidhje me ngjarjen, policia kishte identifikuar si autor të dyshuar 29-vjeçarin Sokrat Vata, banues në Has. Ai punonte si roje plazhi në hotelin “Pronciopotes” dhe dyshohet se u largua menjëherë pas krimit.








