Pothuajse gjysma e shqiptarëve mendojnë se problemet e fundit me rrugët dhe tunelet në vend janë shkaktuar kryesisht nga faktorë njerëzorë, ku sondazhi përfshin ndërtimin e dobët, korrupsionin dhe mungesën e mirëmbajtjes.
Sipas Sondazhit Kombëtar për Shqipërinë të Institutit Republikan Ndërkombëtar, 48% e të anketuarve ua atribuojnë kryesisht këtyre faktorëve problemet e evidentuara në infrastrukturën rrugore dhe tunele.
Vetëm 18% mendojnë se shkaku kryesor janë fatkeqësitë natyrore, si reshjet e dendura, tërmetet apo rrëshqitjet e dheut. Një tjetër 33% vlerësojnë se problemet janë rezultat i ndërthurjes së faktorëve njerëzorë me fenomenet natyrore. Më pak se 1% dhanë një shkak tjetër, ndërsa 2% nuk u përgjigjën ose thanë se nuk e dinin.
Rezultatet tregojnë se 81% e qytetarëve përfshijnë në një formë ose në një tjetër faktorët njerëzorë në shpjegimin e problemeve: 48% i konsiderojnë ata shkakun kryesor, ndërsa 33% besojnë se kanë vepruar së bashku me fatkeqësitë natyrore.
Tirana ka perceptimin më kritik
Qytetarët e Tiranës shfaqin qëndrimin më kritik ndaj cilësisë së ndërtimit dhe administrimit të infrastrukturës. Në kryeqytet, 54% i lidhin problemet kryesisht me faktorët njerëzorë, gjashtë pikë përqindjeje mbi rezultatin kombëtar.
Rreth 18% e banorëve të Tiranës mendojnë se problemet janë shkaktuar kryesisht nga fatkeqësitë natyrore, ndërsa 27% shohin një kombinim të dy kategorive të shkaqeve.
Në zonat e tjera urbane, 48% fajësojnë kryesisht faktorët njerëzorë dhe 15% fenomenet natyrore, ndërsa 36% mendojnë se kanë ndikuar të dyja. Në zonat rurale, pesha e faktorëve njerëzorë zbret në 42%, ndërsa vlerësimi për fatkeqësitë natyrore rritet në 21%. Një tjetër 34% e banorëve ruralë i lidhin problemet me një kombinim shkaqesh.
Diferenca prej 12 pikësh përqindjeje mes Tiranës dhe zonave rurale tregon se në kryeqytet problemet e rrugëve dhe tuneleve perceptohen më shumë si çështje e cilësisë së punimeve, korrupsionit ose mirëmbajtjes, ndërsa në zonat rurale u jepet relativisht më shumë peshë kushteve natyrore.
Të moshuarit u japin më shumë peshë fatkeqësive natyrore
Ndarja sipas moshës tregon se faktorët njerëzorë mbeten shpjegimi kryesor në të gjitha grupet. Mes të rinjve 18–35 vjeç, 49% ua atribuojnë problemet ndërtimit të dobët, korrupsionit dhe mungesës së mirëmbajtjes, ndërsa vetëm 12% kryesisht fatkeqësive natyrore. Rreth 37% mendojnë se shkaku është një kombinim i të dyjave.
Te grupmosha 36–55 vjeç, 45% zgjedhin faktorët njerëzorë, 17% fenomenet natyrore dhe 37% kombinimin e tyre.
Mes personave mbi 56 vjeç, 48% i shohin faktorët njerëzorë si shkakun kryesor, por pesha e fatkeqësive natyrore rritet në 23%, niveli më i lartë mes grupmoshave. Ndërkohë, 27% mendojnë se problemet kanë ardhur nga ndërthurja e të dy faktorëve. /ekofin.al








