Një 22-vjeçar është arrestuar në Skrapar, pasi dyshohet se ishte përfshirë në kultivimin e 31 bimëve të dyshuara narkotike në një zonë pyjore të fshatit Dobrenjë.
Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim, pasi gjatë ndërhyrjes së policisë u largua me vrap në pyll, duke braktisur një armë zjarri kallashnikov.
Operacioni policor, i koduar “Dobrenjë”, u finalizua pas një hetimi rreth njëmujor të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Gjatë ndërhyrjes në zonën pyjore, policia gjeti 31 bimë të dyshuara si Cannabis Sativa. Pranë tyre u kap në flagrancë T. H., 22 vjeç, banues në fshatin Rromas, i cili u arrestua.
Sipas policisë, në kuadër të hetimit u identifikua edhe bashkëpunëtori i tij, Q. M., 22 vjeç, banues në fshatin Dobrenjë. Ky i fundit, pasi konstatoi praninë e shërbimeve të policisë, hodhi në tokë një armë zjarri kallashnikov dhe u largua në drejtim të zonës së pyllëzuar.








