“Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie” dhe “Kur zgjohet rinia, bie qeveria” janë disa nga sloganet që kanë ngritur në protestë studentët dhe të rinjtë e mbledhur para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kanë zënë një pjesë të rrugës së Durrësit, duke kërkuar përmirësimin e kushteve në arsim dhe zgjidhjen e problematikave që, sipas tyre, vijojnë të mos marrin përgjigje nga institucionet.
Tubimi është thirrur në nivel kombëtar, ndërsa organizatorët u janë drejtuar studentëve në të gjithë vendin dhe qytetarëve të tjerë me thirrjen për t’iu bashkuar protestës.
Përpara nisjes së tubimit, në zonën pranë Ministrisë së Arsimit u vendosën forca të shumta policie, ndërsa në terren është konstatuar edhe prania e një autoboti me ujë.








