Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka reaguar pas valës së kërcënimeve me bombë që çuan në evakuimin e qindra shkollave në vend, duke i cilësuar mesazhet si përpjekje për të krijuar panik dhe destabilitet në shoqëri.
Në një videomesazh drejtuar qytetarëve, Meloni u përpoq të përcillte qetësi, duke deklaruar se kërcënimet nuk synojnë të shkaktojnë dëme fizike, por të mbjellin frikë dhe të krijojnë kaos. Ajo garantoi se autoritetet italiane po punojnë për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas këtyre mesazheve.
“Nuk ka kërcënime reale dhe këto mesazhe nuk synojnë të lëndojnë, por të trembin. Qëllimi është të krijojnë frikë dhe kaos, duke na bërë të humbasim ditët tona”, u shpreh kryeministrja italiane.
Meloni bëri të ditur se institucionet e drejtësisë në Itali, në bashkëpunim me autoritetet e vendeve të tjera europiane, kanë nisur punën për të zbardhur rastet dhe për të identifikuar autorët.
Ajo paralajmëroi se kërcënime të ngjashme mund të shfaqen edhe në ditët në vijim, por theksoi se kjo nuk duhet të shihet si dështim i institucioneve, të cilat, sipas saj, do të jenë të përgatitura për t’u përballur me situata të tilla.
Kryeministrja nënvizoi gjithashtu se qeveria nuk do të lejojë që mesazhet anonime të ndërpresin aktivitetin normal të shkollave dhe të ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Ne nuk do të lejojmë që një email anonim të përcaktojë kalendarin e fëmijëve”, deklaroi Meloni.
Në vijim, ajo njoftoi se të nesërmen do të zhvillojë një takim me drejtuesit e partive opozitare, me qëllim diskutimin e situatës dhe koordinimin përballë këtyre kërcënimeve.
Në përfundim të mesazhit të saj, Meloni theksoi se përgjigjja ndaj atyre që synojnë të krijojnë frikë dhe të paralizojnë vendin duhet të jetë vijimi i jetës normale.
Sipas saj, Italia do të vazhdojë të funksionojë, fëmijët do të shkojnë në shkollë dhe qytetarët në punë, pavarësisht kërcënimeve të marra.







