Të planifikosh fonde me perspektivë gjinore nuk do të thotë vetëm të përcaktosh se sa para do të shpenzohen për gratë dhe vajzat. Sfida qëndron te matja e asaj se ku shkojnë këto fonde, kush përfiton prej tyre dhe nëse ato sjellin realisht ndryshim në pabarazitë gjinore. Në Shqipëri, buxhetimi i përgjigjshëm gjinor (BPGJ) është pjesë e procesit të planifikimit të financave publike prej vitesh, por ekspertët dhe organizatat e fushës vlerësojnë se mungesa e indikatorëve të matshëm e vështirëson vlerësimin e ndikimit të tij.
Për eksperten e barazisë gjinore, Monika Kocaqi, vëmendja duhet të shkojë përtej fondeve të parashikuara dhe të fokusohet te rezultatet që ato prodhojnë.
“BPGJ na ndihmon të kalojmë nga pyetja tradicionale ‘sa para u shpenzuan?’, te pyetjet ‘kush përfitoi nga këto para, kush mund të ketë mbetur jashtë dhe çfarë ndryshimi prodhoi ky financim?”- thotë Kocaqi.
Sipas ekspertes, buxhetimi gjinor nuk është një fond më vete për gratë dhe as nuk do të thotë domosdoshmërisht më shumë shpenzime për to.
“Ai nënkupton integrimin e perspektivës gjinore në të gjithë procesin buxhetor: të analizojmë nevojat dhe pabarazitë ekzistuese, të përcaktojmë objektiva dhe burime për adresimin e tyre dhe, më pas, të vlerësojmë se kush ka përfituar dhe çfarë rezultatesh janë arritur”, nënvizon Kocaqi.
Pikërisht identifikimi i nevojave të ndryshme të grave dhe burrave është një nga arsyet pse buxheti duhet parë edhe nga perspektiva gjinore, argumenton Blerina Xhani, eksperte e menaxhimit të financave publike dhe e barazisë gjinore.
“Sepse në këtë mënyrë, jo vetëm që kuptohen cilat janë nevojat e ndryshme të grave dhe burrave, por përgjigjja ndaj tyre është më eficente”, thotë Xhani.
Edhe pse buxhetimi i përgjigjshëm gjinor pretendon të nxisë barazinë, përvoja e Qendrës për Drejtësi Gjinore tregon se ai shpesh reduktohet në një detyrim formal, duke çuar në një situatë ku, siç vëren Adena Vangjeli, drejtore ekzekutive e qendrës: “Nuk ka indikatorë të matshëm që mund të vlerësojnë realisht përqindjen e buxhetit të shtetit që shkon për çështjet gjinore si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë lokal”.
Ku qëndron sot Shqipëria në zbatimin e BPGJ-së?
Për Adena Vangjelin, drejtore ekzekutive e Qendrës për Drejtësi Gjinore në Shqipëri, një shpenzim nuk mund të konsiderohet i përgjigjshëm gjinor vetëm sepse përfituesit e tij janë gra.
“Nuk mjafton të matet vetëm sa para janë shpenzuar apo sa gra kanë përfituar nga një program. Duhet të matet nëse shpenzimi ka sjellë ndryshimin që synohej dhe nëse ka ndihmuar në reduktimin e një pabarazie gjinore”, thotë Vangjeli.
Këtë nevojë për një qasje më të orientuar drejt rezultateve e nënvizon edhe ekspertja Monika Kocaqi.
“Megjithatë, faza e ardhshme duhet të jetë më shumë cilësore sesa thjesht sasiore. Sfida është të sigurohet që objektivat gjinorë të bazohen në analiza të qarta të pabarazive, që treguesit të matin rezultate dhe jo vetëm aktivitete, që të dhënat e ndara sipas gjinisë të jenë të disponueshme dhe të përdoren sistematikisht dhe, mbi të gjitha, që rezultatet e monitorimit të ndikojnë në vendimet e ciklit të ardhshëm buxhetor”, argumenton Kocaqi.
Buxhetimi i Përgjigjshëm Gjinor dhe transparenca
Buxhetimi i Përgjigjshëm Gjinor nuk lidhet vetëm me fondet që parashikohen për barazinë gjinore, por edhe me mënyrën se si këto fonde përdoren dhe me rezultatet që prodhojnë. Sipas ekspertes Kocaqi, BPGJ “krijon një lidhje më të qartë ndërmjet politikës, financimit dhe rezultatit”.
Ajo thekson se: “Prova reale është nëse këto angazhime shoqërohen me burime dhe nëse burimet e përdorura prodhojnë rezultatet e premtuara”. Sipas saj, kjo e bën BPGJ një mekanizëm që mund të rrisë transparencën dhe llogaridhënien, pasi qytetarët, Parlamenti, institucionet e auditimit dhe shoqëria civile mund të vlerësojnë jo vetëm sa është shpenzuar, por edhe çfarë është arritur.
Për eksperten Adena Vangjeli, llogaridhënia duhet të nisë që në procesin e hartimit të buxhetit. Vangjeli argumenton se: “Gratë dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të jenë aktive në konsultimet publike për projektbuxhetet, në mënyrë që nevojat e komuniteteve të reflektohen në prioritetet dhe fondet publike”.
Por Vangjeli vëren se transparenca institucionale mbetet një problem. Sipas saj, informacioni mbi mënyrën se si janë marrë në konsideratë rekomandimet e konsultimeve dhe çfarë rezultatesh janë arritur “shpesh nuk është i mjaftueshëm ose lehtësisht i aksesueshëm”. Për të, BPGJ duhet të shoqërohet me mekanizma më të fortë transparence dhe llogaridhënieje.
Nga modelet e suksesshme te Shqipëria
Sistemet më të avancuara financiare në botë dëshmojnë se Buxhetimi i Përgjigjshëm Gjinor (BPGJ) nuk është një formulë standarde. Të dhënat e OECD-së për vitin 2022 tregojnë se 23 nga 38 vendet anëtare e praktikonin këtë model, ku shembuj si Kanadaja, Austria, Islanda dhe Suedia udhëheqin me praktika të konsoliduara. Kanadaja renditet në krye të indeksit botëror falë Aktit për Buxhetimin Gjinor (2018), ndërsa Austria e ka shkrirë barazinë gjinore brenda buxhetimit sipas performancës.
Për Blerina Xhanin, Austria është modeli më i suksesshëm dhe më i promovuar në Europë, ndërsa Suedia, Islanda, Spanja dhe Belgjika janë gjithashtu shembuj të rëndësishëm.
“Modeli më i suksesshëm dhe më i promovuar sot në Europë është Austria, e cila e ka përfshirë BPGJ në Kushtetutën e saj. Po ashtu Suedia, Islanda, Spanja apo edhe Belgjika janë shembuj shumë të mirë se si mund të zbatohet BPGJ në praktikë. Me shumë krenari them se edhe Shqipëria konsiderohet si një nga vendet e suksesshme të zbatimit të BPGJ në Ballkanin Perëndimor edhe më gjerë”, thotë Xhani.
Megjithatë, ajo thekson se nuk mund të ketë një model të vetëm që zbatohet njësoj në çdo vend.
“Deri më sot nuk ekziston një model i vetëm i zbatimit të BPGJ i cili mund të replikohet mot-a-mot në të gjitha vendet, por secili prej vendeve që ka vendosur të adresojë pabarazitë gjinore me anë të BPGJ, ka zgjedhur të zbatojë mënyrën më të përshtatshme të tij. Përbërja demografike, kultura, mënyra e jetesës, shoqëria, etj. janë vetëm disa nga faktorët që ndikojnë në mënyrën se si shihet BPGJ, ndaj nuk mund të themi dot se ekziston veç një model i suksesshëm i zbatimit të BPGJ.”
Edhe sipas Kocaqit, “nuk ekziston një model i vetëm që mund të kopjohet mekanikisht nga një vend në tjetrin”, por vendet e avancuara e kanë integruar këtë qasje në vetë arkitekturën e financave publike.
“Ajo që këto modele kanë të përbashkët nuk është një procedurë identike, por disa parime: një bazë e fortë institucionale, integrimi i BPGJ-së në procesin e zakonshëm buxhetor, analiza para marrjes së vendimeve dhe tregues të matshëm”, shpjegon ekspertja Kocaqi.
Për Xhanin, ajo që Shqipëria mund të përshtatë nga këto vende nuk është vetëm mënyra teknike e hartimit të buxhetit, por edhe mënyra se si shoqëria dhe institucionet e shohin barazinë gjinore.
“Një nga elementët thelbësorë shoqërorë që mund të përshtasim nga këto vende është ‘ndjeshmëria’ ndaj çështjeve të pabarazive gjinore dhe mënyra se si ato ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e shoqërisë dhe vendit në përgjithësi”, thotë ajo.
Sipas Xhanit, kjo duhet të shoqërohet edhe me përgjegjshmëri politike dhe me ofrimin e shërbimeve publike që u përgjigjen realisht nevojave të grave dhe burrave.
“Në aspektin politik dhe atë të qeverisjes së mirë, duhet të përshtatet përgjegjshmëria politike e angazhimeve të marra ndaj grave dhe burrave që kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare. Përgjegjshmëria për ofrimin e shërbimeve publike që janë vërtet të nevojshme për gratë dhe burrat, në mënyrën e duhur dhe me eficencën e nevojshme”, argumenton Blerina Xhani.
Për Shqipërinë, sfida nuk është nisja nga zeroja, pasi vendi ka krijuar tashmë një bazë ligjore dhe metodologjike. Sipas ekspertes së barazisë gjinore, Monika Kocaqi, dokumentacioni zyrtar i Ministrisë së Financave për fazën e parë të PBA-së 2026–2028 identifikon 81 programe buxhetore që përfshijnë buxhetimin gjinor në kërkesat e tyre për PBA.
“Nuk mjafton që një program buxhetor të identifikohet si i përgjigjshëm gjinor. Duhet të dimë se cilën pabarazi synon të adresojë, çfarë burimesh janë vendosur në dispozicion dhe nëse ndërhyrja e ka zvogëluar realisht pabarazinë”, nënvizon Kocaqi.
Bashkitë, hallka ku BPGJ duhet të përkthehet në shërbime
Në nivel vendor, kjo nevojë bëhet edhe më kritike, sepse bashkitë financojnë shërbime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme. Për Blerina Xhanin, pikërisht në këtë nivel bëhet më e dukshme diferenca mes planifikimit të një buxheti me perspektivë gjinore dhe zbatimit të tij në praktikë.
“BPGJ zbatohet mirë në pjesën e planifikimit të politikave dhe buxheteve në nivelin qendror të qeverisjes, por lë për të dëshiruar në zbatimin e tij në nivelin vendor. Kjo për shkak se vetë burimet njerëzore të Njësive të Qeverisjes Vendore janë të pakta në numër dhe në kapacitete teknike”, thotë Xhani.
Të dhënat e Barometrit Vendor për vitin 2025 tregojnë se vetëm 27 nga 61 bashki raportojnë përfshirjen e buxhetimit gjinor në procesin e planifikimit financiar. Kjo përbën rreth 44%, ndërsa mungesa e këtij instrumenti në më shumë se gjysmën e bashkive tregon nevojën për kapacitete më të mëdha teknike dhe për një fokus më të madh në buxhetimin gjinor.
Sipas Xhanit, analiza gjinore në nivel vendor duhet të thellohet përtej pabarazive që janë lehtësisht të dukshme.
“Një punë më e madhe duhet dhe po vijon të bëhet në mënyrën se si kryhen analizat gjinore të politikave dhe buxheteve, në mënyrë që puna e mirë e bërë deri tani në adresimin e pabarazive të dukshme gjinore, të thellohet për të adresuar edhe ato pabarazi apo nevoja që nuk janë shumë të dukshme, por kanë një ndikim shumë të madh në jetën e grave dhe burrave në vend.”
Planet Vendore të Veprimit duhet të lidhen me buxhetin vjetor për të financuar masa konkrete, nga shërbimet e kujdesit te transporti publik apo shërbimet për viktimat e dhunës.
“Kur plani vendor, treguesit, kostimi dhe buxheti lidhen në këtë mënyrë,” thotë Kocaqi, “barazia gjinore kalon nga një angazhim politik në një angazhim të matshëm dhe të financuar.”
Në praktikë, qytetarët mund ta shohin ndikimin e BPGJ-së pikërisht përmes shërbimeve që marrin nga bashkitë. Për Xhanin, qëllimi nuk është thjesht që një shërbim të ekzistojë, por që ai t’u përgjigjet nevojave reale të grave dhe burrave.
“Gratë dhe burrat e shohin këtë ndikim në mënyrën se si shërbimet publike, sidomos ato të realizuara direkt nga NJQV, kanë ndikim në jetët e tyre. Qëllimi kryesor i BPGJ është që gratë dhe burrat të mund të përfitojnë në mënyrë të barabartë nga shërbimet publike që ofron shteti”, nënvizon ekspertja.
Barometri Vendor 2025 rekomandon që BPGJ-ja të përfshihet në mënyrë konkrete në planifikimin financiar dhe vendimmarrjen e bashkive.
“Buxhetimi i përgjigjshëm gjinor duhet të konsolidohet si pjesë integrale e planifikimit dhe menaxhimit financiar vendor dhe jo vetëm si një proces formal. Bashkitë dhe këshillat bashkiakë duhet të analizojnë ndikimin gjinor të programeve dhe investimeve dhe të sigurojnë burime financiare për ndërhyrjet që adresojnë pabarazitë e identifikuara”, nënvizon raporti.
Paratë dhe gratë në politikë
Financimi është një nga barrierat që kufizon pjesëmarrjen dhe fuqizimin e grave në politikë. Sipas “Barometrit të Barazisë Gjinore”, 58% e grave të intervistuara e konsiderojnë të pamjaftueshëm përfaqësimin e grave në strukturat e partive politike.
Studimi, i bazuar në intervista me gra të moshës 20–60 vjeç, evidenton edhe aksesin e pabalancuar në financat politike. Forumet e grave nuk kanë akses në financimin që partitë marrin nga buxheti i shtetit, ndërsa 60% e grave të intervistuara deklarojnë se kanë hyrë në politikë përmes këtyre forumeve.
Një tjetër studim i Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”, “Barazia Gjinore, Paratë dhe Politika”, nxjerr në pah pabarazinë në aksesin e grave kandidate ndaj financimit politik.
Sipas studimit, partitë politike ofrojnë kryesisht mbështetje për aktivitetet e tyre të përgjithshme, ndërsa kandidatëve u mbetet përgjegjësia për organizimin dhe financimin e takimeve dhe aktiviteteve individuale me qytetarët. 68.24% e grave kandidate deklaruan se i kishin vetëfinancuar aktivitetet e tyre të fushatës.
Në këtë kuadër, Rrjeti Barazi në Vendimmarrje ka propozuar “Integrimin e perspektivës gjinore në partitë politike”, duke synuar mbështetje më të drejtpërdrejtë për gratë dhe vajzat brenda partive. Një nga propozimet kryesore është që të paktën 10% e financimit publik që përfitojnë partitë politike t’u kalojë drejtpërdrejt strukturave të grave, për fuqizimin e tyre, rritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen në fushatat zgjedhore. Propozimi parashikon që shpenzimet për këtë fond të raportohen veçmas pranë KQZ-së./ Ilda Hoxha, acqj.al








