Kryeministri Edi Rama ka komentuar situatën politike në Serbi, duke u ndalur te zhvillimet e fundit dhe mundësia e ndryshimit të qëndrimit të Beogradit ndaj Kosovës dhe Rusisë.
Gjatë një takimi në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane në Irlandë, Rama deklaroi se është ende herët për të nxjerrë përfundime mbi eksperimentin e ri politik në Serbi, që lidhet me listën studentore dhe përzgjedhjen e përfaqësuesve të saj.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se deri më tani nuk ka vërejtur shenja konkrete të një ndryshimi në qëndrimin e Beogradit, veçanërisht sa i përket procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.
Sipas Ramës, mungesa e një qasjeje më të hapur ndaj Kosovës nuk jep ende arsye për optimizëm lidhur me ndryshimet politike në Serbi. Ai paralajmëroi se, nëse kjo situatë vijon, vendi rrezikon të mbetet i ndikuar nga politikat e mëparshme.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se institucionet europiane kanë pasur vështirësi në marrëdhëniet me qeverinë e mëparshme serbe, ndërsa shtoi se zhvillimet e reja politike në vend përbëjnë një eksperiment të pazakontë, rezultatet e të cilit mbeten ende të paqarta.
Ai nënvizoi se për shqiptarët dhe rajonin, çështja kryesore mbetet nëse Serbia do të tregojë gatishmëri reale për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe për një distancim nga politika e saj aktuale ndaj Rusisë.








