Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Alexander Darchiev, ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare. Lajmi u bë publik të mërkurën nga Ministria e Jashtme ruse, e cila nuk ka dhënë ende informacion lidhur me shkakun apo rrethanat e vdekjes së tij.
Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Jashtme vlerësoi kontributin e diplomatit në shërbimin e jashtëm rus, duke theksuar se ai kishte ushtruar detyrën në një prej sektorëve më sfidues të politikës së jashtme të vendit. Gjithashtu, institucioni shprehu ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e tij.
Darchiev kishte një karrierë të gjatë në diplomaci dhe ishte i njohur për qëndrimet kritike ndaj Perëndimit. Ai u emërua ambasador i Rusisë në Uashington në mars të vitit 2025, duke marrë përsipër përfaqësimin diplomatik të Moskës në një periudhë tensionesh mes dy vendeve.
Deri më tani, autoritetet ruse nuk kanë bërë të ditura detaje të tjera mbi ndarjen e tij nga jeta.
Mandati i tij përkoi me një periudhë ndryshimesh në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë, pasi presidenti amerikan Donald Trump nisi bisedimet dypalëshe me Moskën dhe reduktoi ndihmën amerikane për Ukrainën.
Përpara emërimit në Uashington, Darchiev kishte drejtuar Departamentin e Amerikës së Veriut në Ministrinë e Jashtme ruse. Gjithashtu, ai kishte shërbyer si ambasador i Rusisë në Kanada nga viti 2014 deri në vitin 2021.
Vdekja e tij rikthen në vëmendje edhe rastin e diplomatit tjetër të njohur rus, Vitaly Churkin, ambasador i Rusisë në Kombet e Bashkuara, i cili ndërroi jetë në vitin 2017, në moshën 64-vjeçare, pas një arresti kardiak, vetëm një ditë para ditëlindjes së tij të 65-të.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, jetëgjatësia mesatare e burrave në Rusi është rreth 68 vjeç.







