Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën për kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Në përfundim të shqyrtimit të provave, SPAK ka kërkuar që Shkreli të shpallet fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe të dënohet me 1 vit burg.
Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.
Kujtojmë se Kristian Shkreli u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, pasi dyshohet se në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit bleu vota për subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.
Nga hetimet e SPAK, është evidentuar se Shkreli ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të PSD-së, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate.







