Në një postim në Facebook, të hënën, kryeministri Rama shpalli se “tani në Michelin Guide gjenden 20 sipërmarrje shqiptare”, të përzgjedhura, sipas tij, “për autenticitetin, identitetin dhe vlerat e kuzhinës”.
Ai e paraqiti lajmin si një hap të rëndësishëm për promovimin e gastronomisë shqiptare dhe të traditave tona kulinare.
Ajo që ka ndodhur në të vërtetë është shumë më modeste. Faqja e internetit e udhëzuesit ka shtuar një seksion ku turistët mund të rezervojnë dhoma në 20 hotele shqiptare. Asnjëri prej këtyre hoteleve nuk është përzgjedhur për kuzhinën.
Michelin nuk ka vlerësuar kurrë ndonjë kuzhinë shqiptare
Michelin i publikon përzgjedhjet e restoranteve vend pas vendi, dhe Shqipëria nuk është ndër to.
Lista e përzgjedhjeve kombëtare të vetë udhëzuesit përfshin vende të rajonit, si Greqinë, Kroacinë, Serbinë, Slloveninë dhe Turqinë, por jo Shqipërinë.
Asnjë inspektor i Michelin nuk ka vlerësuar ndonjë restorant shqiptar deri më sot. Faqja për Shqipërinë në faqen e udhëzuesit nuk rendit as edhe një restorant të vetëm.
Qeveria nuk ka se çfarë vlerësimi për kuzhinën shqiptare të festojë.
Një faqe për rezervime hotelesh
Faqja për Shqipërinë, të cilës i referohet kryeministri, mban titullin Hotele butik dhe luksoze – Rezervime hotelesh nga Udhëzuesi Michelin (Boutique and luxury hotels – Hotel booking by Michelin Guide).
Aty renditen 20 hotele, nga Tirana dhe Durrësi deri në Vlorë, Himarë, Sarandë, Gjirokastër, Berat dhe Korçë.
Listimet duken ende në fazë fillestare. Në momentin e shkrimit, asnjë nga hotelet shqiptare nuk shfaqte çmime apo dhoma të lira; secili i ftonte vizitorët të kontaktonin shërbimin e klientit.
Seksioni i hoteleve është një biznes më vete i Udhëzuesit Michelin. Kompania e ndërtoi këtë sektor biznesi mbi Tablet Hotels, një platformë rezervimesh me qendër në Nju Jork, të cilën ajo e bleu në vitin 2018.
Asnjë “Çelës” për 20 hotelet
Michelin i vlerëson edhe hotelet, por me një shenjë dalluese të vetën: ajo përdor Çelësin Michelin (Michelin Key), që është i ngjashëm me yjet për restorantet.
Asnjë nga 20 hotelet shqiptare që mund të rezervohen nga faqja e Michelin nuk ka vlerësim me “Çelës”. Në të njëjtën faqe, hotelet e vendeve të tjera që e kanë fituar shfaqin simbolin e Çelësit; ato shqiptare nuk shfaqin asgjë.
Sipas njoftimit të Michelin për përzgjedhjen e vitit 2026, lista globale e hoteleve të udhëzuesit përfshin mbi 9 400 hotele, nga të cilat vetëm 2 832 janë vlerësuar me një Çelës.
Këtë vit, dhjetë vende morën Çelësa për herë të parë. Shqipëria nuk ishte ndër to.
Marriott si “traditë kulinare” shqiptare
Kryemnistri Rama i paraqiti 20 hotelet si shprehje të identitetit dhe të traditës kulinare shqiptare.
Por pesë prej tyre operojnë nën markat e grupeve ndërkombëtare: Marriott, Radisson, Crowne Plaza (IHG), Maritim dhe MGallery (Accor). Vështirë se zinxhirët globalë të hotelerisë janë rojtarët e trashëgimisë së kuzhinës sonë.
Keqinformim, jo keqkuptim
Keqinformimi i kryeministrit ka pak gjasa të jetë thjesht keqkuptim. Është e vështirë të besohet se kryeministri nuk e di që në Shqipëri nuk ka restorante Michelin.
Sidoqoftë, faqja e Michelin e thotë qartë që në titull se bëhet fjalë për rezervime hotelesh. Nga rezervim hotelesh në “kuzhinë”, “gastronomi” dhe “tradita kulinare” është një hendek i tërë.
Po pse keqinfromon kryeministri? Hamendësimi kryesor është i thjeshtë.
Turizmi, veçanërisht përmes zhvillimit të bregdetit, është politika kryesore ekonomike e qeverisë e cila trumbetohet pareshtur si çelësi i zhvillimit dhe përparimit të vendit.
Një “njohje” nga marka më e famshme e gastronomisë botërore për restorantet shqiptare do të ishte një provë se ky model po funksionon. Problemi është se kjo njohje nuk ekziston.
Kur kreu i qeverisë ua shet qytetarëve një listë rezervimesh si triumf kombëtar të kuzhinës, ai nuk po promovon Shqipërinë. Po promovon veten, në kurriz të së vërtetës.
Hap i vogël, i shitur si i madh
Michelin e përshkruan listën e hoteleve si një përzgjedhje të bërë nga inspektorët e saj, jo si listime me pagesë.
Përfshirja në platformën e rezervimeve u jep këtyre hoteleve njëfarë dukshmërie ndërkombëtare dhe një përfitim fare modest për turizmin shqiptar.
Por kjo nuk është ajo që shpalli kryeministri. Postimi i tij i ktheu hotelet në restorante, la të nënkuptohej një vlerësim që asnjëri prej tyre nuk e ka marrë dhe ua atribuoi zinxhirëve ndërkombëtarë trashëgiminë kulinare të Shqipërisë.
Kuzhina shqiptare pret ende vizitën e parë të një inspektori nga Michelin./ Exit.al








