Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lërë në burg Hasan Ndërjakun, i cili u ekstradua nga Italia vetëm dy ditë më parë në Shqipëri.
Ndërjaku ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe ndaj tij ishte caktuar në mungesë masa e sigurisë “arrest në burg”, nën dyshimet për përfshirje në grup të strukturuar kriminal.
Pas arrestimit në Itali, Hasan Ndërjaku kishte qëndruar në masën e “arrestit në shtëpi”, deri në përfundimin e procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Gjatë seancës së zhvilluar këtë të premte në GJKKO, mbrojtja kërkoi që në dosjen gjyqësore të administrohej edhe vendimi i Gjykatës italiane, i cili përcakton kushtet dhe kufijtë mbi të cilët ishte lejuar ekstradimi i Ndërjakut.
Avokati i tij, Rigert Koni, deklaroi se vendimi i gjykatës italiane nuk ishte administruar as nga Prokuroria dhe as nga Gjykata, pavarësisht se klienti i tij ishte ekstraduar në Shqipëri vetëm pak ditë më parë.







