SPAK ka kërkuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe pezullimin nga detyra për drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Lajmi është raportuar mëngjesin e kësaj të marte, ndërsa në kuadër të hetimeve është kontrolluar edhe banesa e drejtueses së SHISH.
Kontrollet mësohet se janë shtrirë edhe ndaj personave të tjerë të përfshirë në të njëjtin vendim të Gjykatës së Posaçme. Sipas raportimeve, hetimi lidhet me të njëjtën dosje ku është përfshirë edhe biznesmeni Ergys Agasi, ndërsa akuzat konkrete ndaj Hysenit nuk janë bërë ende publike.
Vlora Hyseni mori drejtimin e SHISH në prill të vitit 2023, pas propozimit të kryeministrit Edi Rama dhe dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj. Me këtë emërim, ajo u bë gruaja e parë në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Përpara emërimit në këtë detyrë, Hyseni kishte ndërtuar një karrierë në strukturat e sigurisë kombëtare në Kosovë, ndërsa më herët kishte shërbyer edhe si këshilltare për sigurinë kombëtare pranë kryeministrit Rama.







