Dhjetë vatra zjarri janë regjistruar në territorin e vendit deri në orën 14:00, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 2 të tjera mbahen nën monitorim.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në terren janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 9 automjete zjarrfikëse. Në operacione po kontribuojnë edhe Forcat e Armatosura me 70 efektivë, një automjet zjarrfikës dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive janë raportuar në Dajt, Lufaj, Tërbun–Gojan–Gjegjan, Gjorm të Sipërm, Tunjë të Re dhe Rraja e Velës.
Në Dajt zjarri është riaktivizuar, ndërsa në terren po operojnë 30 efektivë të Forcave të Armatosura, një helikopter, 13 forca të MZSH-së dhe 9 të AZM-së. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Lufaj të Mirditës, vatra vijon me intensitet të ulët, ndërsa Shërbimi Pyjor dhe MZSH po punojnë për izolimin e saj.
Situata më problematike paraqitet në zonën Gojan–Gjegjan në Pukë, ku erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e flakëve. Forcat në terren janë përqendruar te mbrojtja e banesave, ndërsa operacioni mbështetet nga 40 efektivë të FA-së, një automjet zjarrfikës dhe dy helikopterë. Edhe në këtë zonë, aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, vatrat në Gurë-Lurë dhe Qafë Helmes vijojnë të jenë nën monitorim, me situatën të stabilizuar.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Forcat dhe mjetet operacionale vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.







