Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për gjashtë persona, të dyshuar për përfshirjen në konfliktin e ndodhur pak ditë më parë në një lokal në qytetin bregdetar, ku u godit edhe shefi i Krimeve të Komisariatit të Sarandës.
Vendimi është marrë më 19 gusht, pas kërkesës së Prokurorisë së Sarandës, e cila i akuzon gjashtë personat për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit, pranë klubit “Orange” në Sarandë. Sipas hetimeve, në ambientet e lokalit kishte nisur një konflikt mes disa personave dhe punonjësve të sigurisë.
Në përpjekje për të ndërhyrë dhe neutralizuar situatën, aty ka shkuar edhe shefi i Krimeve të Komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli. Sipas Prokurorisë, efektivi është prezantuar si punonjës policie, por pavarësisht kësaj është goditur nga personat e përfshirë në konflikt.
Pas ngjarjes, Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka identifikuar gjashtë persona si të dyshuar për sulmin. Bëhet fjalë për shtetasit me inicialet A.K., B.S., E.N., F.H., I.Ç. dhe M.K.








