Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra katër efektivë si dhe shefin e Rendit në Komisariatin nr. 1, pas pamjeve të publikuara në media, ku 19-vjeçari Ledjon Balla, shfaqej me këmbë të thyer në gjendje të fikti, teksa shoqërohej nga disa efektivë pranë Parlamentit.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të pesë punonjësve, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën se si është trajtuar i riu nga efektivët.
Gjithashtu, thuhet se është ngritur një grup i posaçëm për të verifikuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe nëse janë zbatuar procedurat standarde të punës.
Policia thekson se çdo punonjës që ka shkelur procedurat ose ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi. Paralelisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.








