Pas më shumë se 7 orësh protestë të shoqëruar me tensione të larta, përplasje fizike dhe ndërhyrje të vazhdueshme të forcave të rendit, situata në kryeqytet vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa bilanci i të shoqëruarve në polici është në rritje.
Sipas burimeve, deri më tani rreth 40 persona janë shoqëruar në komisariatet e Tiranës, pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës.
Protesta nisi përpara godinës së ministrisë, ku nuk munguan përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit. Gjatë ndërhyrjeve u përdorën autobotë me ujë, ndërsa disa protestues u tërhoqën zvarrë në rrugë, në skena që shoqëruan orët e gjata të tensionit.
Ndërkohë, protesta është zhvendosur edhe në një tjetër zonë të kryeqytetit. Protestuesit janë mbledhur në kryqëzimin e rrugëve “Hoxha Tahsin” dhe “Bardhyl”, ku kanë vënë zjarrin në disa kosha mbeturinash.
Situata në disa akse rrugore të Tiranës vijon të jetë nën monitorimin e forcave të sigurisë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse tensionet do të përshkallëzohen më tej dhe nëse numri i të shoqëruarve do të vijojë të rritet.







