Gjykata e Sarandës do të shqyrtojë këtë të premte, në orën 11:30, masat e sigurisë për 11 personat e përfshirë në ngjarjen e rëndë të 17 gushtit në Ksamil, ku humbi jetën 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes.
I riu, i cili jetonte në Francë, kishte ardhur në Shqipëri vetëm dy ditë para ngjarjes, së bashku me tetë miq. Mbrëmjen e tragjedisë, grupi kishte marrë pjesë në një festë me DJ francezë të zhvilluar në ambientet e kompleksit “Principote”.
Pas përfundimit të festës, një debat mes të rinjve dhe disa personave të tjerë jashtë grupit u përshkallëzua. Sipas dëshmive të administruara nga policia, situata degjeneroi në përplasje fizike, ku u përfshinë edhe punonjës të kompleksit.
Në qendër të hetimeve janë dy 29-vjeçarët Davidi Heurtevent dhe Sokrat Lipan, i njohur si Sokrat Vata. Heurtevent, i cili është shpallur në kërkim, dyshohet se ka goditur fillimisht 20-vjeçarin, ndërsa më pas Sokrat Vata e ka qëlluar me thikë.
Plaga rezultoi fatale për të riun portugez, i cili humbi jetën në vendngjarje, në një shezlong në plazhin pranë kompleksit.
Pas ngjarjes, Sokrat Vata u arrestua në Levan. Ai u gjet i fshehur në bagazhin e një automjeti që i përkiste një çifti turk, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak.
Sipas burimeve policore, 29-vjeçari dyshohet se u kishte kërkuar ndihmë dy shtetasve turq për t’u larguar drejt Tiranës, pasi i njihte për shkak të qëndrimeve të mëparshme të tyre në kompleksin turistik.
Seanca e sotme pritet të përcaktojë masat e sigurisë për të 11 personat dhe të qartësojë pozicionin procedural të secilit prej tyre në hetimin për ngjarjen e rëndë.







