Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rikthyer një prej denoncimeve të tij të bëra në vitin 2024 për mënyrën se si, sipas tij, funksiononte Shërbimi Informativ Shtetëror nën drejtimin e Vlorë Hysenit.
Në një reagim të publikuar nga PD, Berisha pretendon se Hyseni kishte urdhëruar që informacionet e mbledhura nga strukturat e SHISH-it të mos u përcilleshin drejtpërdrejt institucioneve ligjzbatuese, por të kalonin fillimisht te kryeministri Edi Rama dhe ish-këshilltari i tij, Engjëll Agaçi.
“Një muaj më parë, Edi Rama, jep urdhër në kundërshtim flagrant me ligjin e shërbimit informativ kombëtar”, shprehet Berisha, duke pretenduar se bëhej fjalë për të dhëna që lidhen me kriminalitetin, korrupsionin, veprat kërcënuese dhe terrorizmin.
Sipas tij, urdhri ishte që informacionet që kërkoheshin nga Policia, Prokuroria apo institucione të tjera të mos dërgoheshin drejtpërdrejt, por të kalonin më parë në filtrin e Kryeministrisë.
“Urdhëron drejtoritë të mos dërgojnë asnjë informacion askund tjetër, por çdo informacion që të kërkojë policia, prokuroria apo institucionet e tjera, ta dërgojë njëherë tek kryeministri, tek Engjëll Agaçi, dhe pastaj ata ta kalojnë”, deklaron Berisha.
Kreu i PD-së e cilëson këtë si një ndërhyrje të rëndë në funksionimin e shërbimit informativ dhe ngre pyetjen nëse një praktikë e tillë përbënte, sipas tij, “një kontroll të tmerrshëm policesk” dhe “një akt antiligjor”.
“E kam denoncuar që në atë kohë, në vitin 2024”, thekson Berisha, duke rikthyer akuzën në një moment kur ndaj Vlorë Hysenit është caktuar masa “arrest në shtëpi” nga GJKKO, në kuadër të hetimeve të SPAK.
Sipas Berishës, informacionet e mbledhura nga SHISH për çështje kriminaliteti duhet t’u përcillen institucioneve përkatëse, në varësi të natyrës së rastit.
“Këto informacione duhej që shërbimi informativ t’ua kalonte automatikisht sipas rastit Policisë së Shtetit, në rastin tjetër SPAK-ut, në rastin tjetër Prokurorisë së Tiranës dhe me radhë”, deklaron ai.
Berisha argumenton se Kryeministri nuk duhet të ketë rol në filtrimin apo bllokimin e këtij komunikimi institucional.
“Nuk kanë asnjë lidhje me personin e kryeministrit dhe kryeministri nuk ka asnjë tagër të bllokojë këtë komunikim në funksion të sigurisë kombëtare”, shprehet kreu i PD-së.
Në përfundim, Berisha e lidh këtë praktikë të pretenduar me atë që ai e cilëson si bashkëpunim të qeverisë me krimin dhe akuzon Ramën se e ka kthyer, sipas tij, SHISH-in në një instrument politik.
“Edi Rama nuk kishte kurrë të drejtë të bllokonte komunikimin ligjor, të diktuar nga ligji, midis institucioneve në luftën kundër krimit”, përfundon Berisha.







