Është vënë në pranga drejtuesi teknik i subjektit minerar ku humbi jetën një 40-vjeçar në Bulqizë, pas një aksidenti të ndodhur në vendin e punës.
Sipas policisë, i arrestuari është një 63-vjeçar me inicialet P.K., banues në Vajkal të Bulqizës, i cili dyshohet se nuk ka zbatuar masat e mbrojtjes dhe sigurisë në punë. Për pasojë, në aksident humbi jetën minatori Ilir Koloveri, 40 vjeç.
Ngjarja u regjistrua më 1 gusht 2026 në një subjekt minerar në Bulqizë. Pas hetimeve paraprake, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë kanë bërë arrestimin e drejtuesit teknik, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Materialet e hetimit i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila do të vijojë procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.







