Dy të rinj janë arrestuar në Tiranë pasi dyshohet se tentuan të mashtronin presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke u prezantuar me identitetin e një personazhi të njohur të politikës.
Në pranga kanë rënë Edison Korra, 24 vjeç dhe Orest Balla, 23 vjeç. Sipas hetimeve, të rinjtë kanë komunikuar me Dukën duke u shtirur si Taulant Balla dhe i kanë kërkuar atij shumën prej 100 mijë eurosh, të cilën synonin ta merrnin në kriptovaluta.
Duka dyshoi se bëhej fjalë për një tentativë mashtrimi dhe njoftoi menjëherë Policinë.
Nga kriptomonedhat te paratë cash
Gjatë komunikimit me dy të rinjtë, Duka u ka bërë të ditur se nuk merrej me transaksione të tilla dhe i ka orientuar që të kontaktonin djalin e tij, duke u thënë se ai merrej me çështje të tilla.
Në këtë pikë, në komunikimin me të dyshuarit ka ndërhyrë një agjent i infiltruar i Policisë, i cili është prezantuar si djali i Armand Dukës.
Agjenti u ka komunikuar se nuk mund ta kryente pagesën në kriptovaluta, por mund t’ua dorëzonte shumën prej 100 mijë eurosh në para cash.
Dy të rinjtë kanë pranuar marrëveshjen dhe kanë kërkuar që paratë t’u dorëzoheshin në Elbasan.
Policia organizon kurthin, njëri tenton të arratiset
Pas përcaktimit të vendit të takimit, Policia ka organizuar operacionin për kapjen e tyre në flagrancë.
Në momentin kur do të kryhej dorëzimi i parave, efektivët kanë ndërhyrë duke arrestuar dy të rinjtë. Njëri prej tyre ka tentuar të largohet me vrap, por është ndjekur dhe kapur nga uniformat blu.
Dyshimet për personin që qëndron pas skemës
Sipas burimeve, hetuesit dyshojnë se pas kësaj tentative mashtrimi mund të jetë Florian Gjergji, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dyshuar më herët për episode të ngjashme.
Dyshohet se Gjergji e ka organizuar skemën në distancë, duke gjetur persona që kryejnë marrjen apo transportin e parave në këmbim të shumave relativisht të vogla.
Sipas hetimeve, një prej mënyrave të përdorura në këtë skemë është shfrytëzimi i emrave dhe identiteteve të personazheve publike, veçanërisht të figurave politike, për t’u kërkuar para personave të tjerë.
Në episode të mëparshme, sipas burimeve, janë përdorur edhe emrat e Tonin Marinajt, Taulant Ballës dhe Erion Veliajt, ndërsa hetuesit po verifikojnë nëse ka edhe raste të tjera.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjithë skemën, rolin e personave të arrestuar dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në organizimin e mashtrimit








