Autoritetet greke kanë arrestuar pronarin e fabrikës së biskotave “Violanta” si dhe dy drejtues të tjerë të kompanisë, përfshirë teknikun e sigurisë, pas shpërthimit dhe zjarrit tragjik në Trikala, ku humbën jetën pesë punonjëse.
Sipas mediave greke, pronari përballet me akuza për vrasje nga pakujdesia, shpërthim, zjarrvënie nga pakujdesia dhe shkaktim të lëndimeve trupore.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit, rreth orës 04:00, pas një shpërthimi të fuqishëm në bodrumin e godinës qendrore të fabrikës, e cila ndodhet në aksin kombëtar Trikala–Kardica. Zjarri përfshiu një krah të ndërtesës dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale.
Sipas gjetjeve paraprake, tragjedia dyshohet se u shkaktua nga rrjedhja e gazit dhe një shpërthim në zonën ku ndodheshin furrat e fabrikës. Autoritetet po vijojnë ekspertizën në terren dhe po mbledhin prova për të zbardhur shkaqet e sakta të ngjarjes.
Nga të dhënat e siguruara nga protothema.gr, ambientet e fabrikës “Violanta” kishin një studim të mbrojtjes nga zjarri, i depozituar elektronikisht nga një inxhinier i autorizuar në shtator të vitit 2025.








