Detaje të reja dalin nga konflikti që ka përfshirë disa persona, ndërsa policia ka identifikuar 10 të dyshuar si të përfshirë në ngjarje. Katër prej tyre janë arrestuar, katër po ndiqen penalisht në gjendje të lirë, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Mes personave të arrestuar, të moshave 24 deri në 34 vjeç, rëndojnë akuza të ndryshme, që lidhen me përkrahjen e autorit, moskallëzimin e krimit, pengimin e zbulimit të së vërtetës, si dhe mbajtjen apo blerjen pa leje të armëve të ftohta.
Në kërkim janë shpallur dy 32-vjeçarë. Njëri prej tyre dyshohet se ka tentuar të vrasë me dashje, ndërsa akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Personi tjetër dyshohet se ka fshehur ngjarjen dhe ka përkrahur autorin.
Sipas hetimit paraprak, përplasja dyshohet se ka nisur pas një konflikti verbal, ku njëri prej personave të arrestuar ka fyer një të mitur. Situata më pas ka kaluar në përplasje fizike mes 17-vjeçarit dhe miqve të tij nga njëra anë, dhe dy vëllezërve bashkë me shoqërinë e tyre nga ana tjetër.
Pas konfliktit fizik, 17-vjeçari dhe shokët e tij janë larguar, por më pas janë rikthyer me motomjete pranë banesës së dy vëllezërve.
Në këtë moment, sipas dyshimeve të policisë, njëri prej vëllezërve, i cili tashmë është shpallur në kërkim, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të motomjeteve.
Pavarësisht të shtënave, nuk raportohet që ndonjë person të jetë dëmtuar.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka sekuestruar një thikë dhe sende të tjera që konsiderohen me interes për hetimin dhe që pritet të ndihmojnë në dokumentimin e plotë të konfliktit.
Ndërkohë, vijojnë kërkimet për dy personat e shpallur në kërkim, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.







