Një kompani e themeluar nga deputeti socialist, Vasil Llajo, dhe që aktualisht menaxhohet nga ish-vartës të tij, është shpallur fituese në një tender me fond rreth 6 milionë euro për pajisje ortopedike për Spitalin e Traumës.
Operatori i Blerjeve të Përqëndruara, struktura që ka zhvilluar tenderin, njoftoi në Buletin e Prokurimeve Publike se fitues i procedurës me objekt “Blerje materiale konsumi (implante ortopedike) për Shërbimin e Ortopedisë në SUT”, me fond limit: 575,217,692 lekë, është kompania “Layo” shpk, e mbështetur nga një operator, “Medicamenta”.

Në tender kanë marrë pjesë tre konkurentë. Krahas “Layo”, në garë ishin edhe “Ortonet” dhe “Trimed”. Referuar të dhënave zyrtare, ofertat e të tre kompanive ishin shumë pranë fondit limit. Megjithatë, fituese, “Layo” rezultoi me ofertën më të ulët, e cila gjithësesi ishte afërsisht sa 99 përqind e fondit limit. 
Në foto: Rezultatet e tenderit për pajisjet ortopedikeKompania “Layo” aktualisht është në pronësi të tre bashkëpronarëve, Ani Hasa, Rudina Karalli dhe Genc Kurani. E krijuar në vitin 2009, kompania “Layo” është kontrolluar për shumë vite nga Vasil Llajo. Këtë e konfirmon edhe emri i shoqërisë, i cili tingëllon ngjashëm me emrin e sipërmarrësit dhe aktualisht deputetit të Partisë Socialiste në pushtet.
Historia e kompanisë
Vasil Llajo ka operuar prej më shumë se dy dekadash në tregun privat farmaceutik, duke pasur në pronësi disa kompani të ndryshme.
Në shkurt të vitit 2025, ai pranoi t’i bashkohej listës së kandidatëve për deputetë të kryeministrit Edi Rama. Vasil Llajo ishte pjesë e listës së qarkut të Vlorës, me angazhim politik në vendlindjen e tij, në Sarandë.
Në përfundim të zgjedhjeve, ai rezultoi fitues, duke iu bashkuar Parlamentit. Për shkak të angazhimit të tij politik, Vasil Llajo vendosi të shesë disa prej kompanive të tij. Mes tyre ishte edhe shoqëria “Layo” shpk.
Në 23 qershor 2025, vetëm pak ditë pasi ishte konfirmuar rezultati i tij pozitiv në zgjedhjet e përgjithshme, sipërmarrësi Vasil Llajo shet kompaninë “Layo” për shumën 150 milionë lekë të reja (më shumë se 1.5 milionë euro).

Sipas dokumentave zyrtare, blerësja ishte Argita Bojaxhiu, e lindur në Berat, por që rezulton me aktivitet në fushën e shëndetësisë në Kosovë.
Pas ndryshimit të pronësisë, “Layo” shpk vijoi të merrte tendera publike. Për shkak të ndryshimit të pronësisë, situata nuk përbënte formalisht konflikt interesi, përsa kohë që Vasil Llajo kishte hequr dorë me letra nga shoqëria.
Në nëntor 2025, pronarja e re, Bojaxhiu vendos ta ri-shesë kompaninë “Layo”. Vlera e transaksionit ishte sërish 150 milionë lekë të reja, po aq sa ajo e kishte blerë më herët nga Vasil Llajo.
Blerësit e rinj dhe pronarët aktualë janë Ani Hasa, me 50 përqind të aksioneve, si edhe Rudina Karalli dhe Genc Kurani, me nga 25 përqind secili.
“Njeriu i Llajos” bleu kompaninë
Aksionarja maxhoritare, Ani Hasa, është një bashkëpunëtore e ngushtë e themeluesit dhe ish-pronarit jetë-gjatë të “Layo” shpk, Vasil Llajo.

Zonja Hasa ka mbajtur më herët pozicionet e drejtoreshës së Financës dhe më tej Administratores së kompanisë, kur ajo ishte në pronësi zyrtare të deputetit aktual të Partisë Socialiste, Vasil Llajo.
Në një dokument të konsultuar nga “Boldnews.al”, që mban datën 3 mars 2023, thuhet: “Ortaku i vetëm i “Layo” shpk, Vasil Llajo, vendos emërimin e znj. Ani Hasa në pozicionin e Administratores së shoqërisë”.
Zonja Hasa e ka mbajtur këtë detyrë për një shumë se 18 muaj, deri në nëntor 2024. Tashmë, ajo është rikthyer në pozicionin e ortakes kryesore, me 50 përqind të aksioneve, në shoqërinë kur dikur ishte vartëse e pronarit Vasil Llajo./Boldnews







