Partizani sfidon nesër Egnatian në Rrogozhinë në një nde-shje prestigji, ku do të matin forcën dy skuadrat më në formë të momentit. Në këtë përballje kampionët në fuqi do të tentojnë të marrin fitoren e shtatë radhazi, çka do të zmadhonte akoma më shumë këtë ecuri të frikshme që po regjistrojnë së fundmi. Hera e fundit kur Partizani ka arritur të sigurojë të paktën shtatë fitore radhazi është sezoni 1997-1998, kur e ndalnin serinë e triumfeve në tetë. Në atë edicion të kuqtë ishin një nga pretendentët për titullin dhe një nga skuadrat më në formë të gjysmës së parë të sezonit, por në fund e mbyllnin të tretët pas Vllaznisë dhe Tiranës.
Në periudhën tetor 1997-shkurt 1998 ata regjistronin ecurinë rekord të tetë fitoreve të njëpasnjëshme. Seria niste me një fitore me shifrat 2-1 në shtëpi ndaj Skënderbeut, për të vijuar më pas me Shqiponjën e Gjirokastrës (0-1), Tomorin (0-2), Albpetrolin (5-0), Olimpikun (Dinamo, 0-1), Flamurtarin (8-3), Bylisin (0-1) dhe Laçin (3-0), teksa vrullin ia ndalte Vllaznia.
EMRAT E MËDHENJ – Pjesë e rëndësishme e atij Partizani ka qenë Përparim Daiu, një nga lojtarët më të rëndësishëm të atij ekipi. Ish-mbrojtësi, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, kujton atë sezon.
KRAHASIMI – Nuk mund të mungonte një ballafaqim i atij ekipi dhe këtij të sivjetshmit, që bashkë me Egnatian po dominon Superioren. Daiu shprehet se ky Partizan është më i konsoliduar.
“Partizani gjithnjë ka pasur në përbërje ‘ajkën’ e futbollistëve, por ai ekip i atyre viteve ka pasur individë të veçantë, që bënin diferencën, ndërsa këtë Partizan tani e shoh më kompakt dhe më të konsoliduar. Ka edhe cilësi individuale, por e ka shkrirë shumë mirë me grupin. I shoh më kompaktë. Në atë kohë bënin diferencë individët, por futbolli është lojë kolektive. Partizani i këtij viti është solid”, vijon kavajasi.