Policia e Tiranës u ka dërguar më 22 tetor një shkresë urgjente komisariateve të kryeqytetit, ku kërkon zbatimin e procedurave ligjore gjatë protestave dhe respektimin e të drejtave të personave të shoqëruar, veçanërisht të të miturve.
Në udhëzimin e firmosur nga zv/drejtori për Sigurinë Publike, Edmond Meshini, kërkohet që çdo punonjës policie të jetë i identifikueshëm gjatë ushtrimit të detyrës, me numër identifikues të dukshëm, ndërsa edhe automjetet policore duhet të jenë të pajisura me elementet përkatëse identifikuese.
Një nga pikat kryesore të shkresës lidhet me kontrollin e telefonave celularë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë u kërkon efektivëve të mos kryejnë kontrolle të telefonave pa urdhër gjyqësor dhe të mos kërkojnë fjalëkalimet e pajisjeve nga personat e shoqëruar apo të arrestuar pa bazë ligjore.
Kamera në ambientet e shoqërimit dhe intervistimit
Udhëzimi parashikon gjithashtu vendosjen e kamerave në ambientet ku shoqërohen dhe intervistohen të miturit, në çdo zyrë, si dhe ruajtjen e pamjeve filmike. Në shkresë kërkohet edhe ruajtja e menjëhershme e pamjeve të datës 19 tetor.
Për trajtimin e të miturve, policia duhet të garantojë në çdo rast praninë e prindit ose kujdestarit ligjor dhe të psikologut. Gjithashtu, përpara marrjes në pyetje duhet t’u vihet në dispozicion formulari i të drejtave në versionin për të mitur dhe të mbahet një regjistër i veçantë për këto raste.
Respektimi i rregullave për përdorimin e forcës
Në dokument kërkohet që strukturat policore të njihen me aktet ligjore që përcaktojnë përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës gjatë ndërhyrjeve në protesta.
Po ashtu, efektivëve u kërkohet të plotësojnë regjistrat e shoqërimit me të gjitha të dhënat e nevojshme dhe të zbatojnë detyrimet ligjore që lidhen me trajtimin e të miturve.
Shkresa është klasifikuar si “Tepër urgjent” dhe vjen në një periudhë kur veprimet e policisë gjatë protestave studentore janë vënë në fokus të diskutimeve publike dhe të institucioneve që monitorojnë respektimin e të drejtave të njeriut.







