Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur probleme serioze në verifikimin e barnave të përfshira në listën e rimbursimit.
Sipas një raporti auditimi që i referohet ndjekjes dhe zbatimit të rekomandimeve të lëna nga KLSH në 6-mujorin e dytë të vitit 2024, nga 458 barna të kontrolluara për vitin 2023, 43 nuk rezultonin të pajisura me autorizim tregtimi dhe nuk figuronin në regjistrin e barnave për atë vit.
Në një verifikim tjetër, KLSH-ja konstatoi edhe 46 barna të autorizuara për tregtim, por që nuk rezultonin të ishin importuar në Shqipëri gjatë vitit 2023.
Gjetjet nxjerrin në pah dobësi në kontrollin e një liste që lidhet drejtpërdrejt me barnat që rimbursohen për pacientët.
Për 43 barnat pa autorizim tregtimi, KLSH-ja konstaton se institucionet nuk kishin qenë efektive në verifikimin nëse barnat e vendosura si alternativë e parë në listën e rimbursimit ishin realisht të pajisura me autorizim tregtimi dhe të regjistruara. Auditimi e lidh këtë problem me mungesën e koordinimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, institucioneve të varësisë dhe Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Problemi i dytë ishte i një natyre tjetër. Për 46 barna, çështja nuk ishte mungesa e autorizimit, por fakti që ato, megjithëse figuronin të autorizuara për tregtim, nuk rezultonin të importuara gjatë vitit 2023. Sipas KLSH-së, kjo tregon verifikim të dobët të qarkullimit real të barnave nga ana e AKBPM-së, veçanërisht për produkte që qëndrojnë në listat zyrtare, por nuk hyjnë në treg për periudha të gjata.

Ky auditim i KLSH nxjerr në pah edhe njëherë problemet me listën e barnave me rimbursim. Nëse një bar figuron si alternativë e parë, por nuk ka autorizim tregtimi ose nuk qarkullon realisht në vend, krijohet paqartësi për zbatimin praktik të skemës së rimbursimit dhe për aksesin e pacientëve te medikamentet që duhet të jenë të disponueshme.
Konkretisht, auditimi ngre një problem të dyfishtë: një pjesë e barnave të listës së rimbursimit nuk rezultonin të regjistruara siç duhet, ndërsa një pjesë tjetër, edhe pse të autorizuara, nuk rezultonin të kishin hyrë fare në vend. Kjo e vendos fokusin jo vetëm te cilësia e kontrollit administrativ, por edhe te besueshmëria e listës mbi të cilën mbështetet rimbursimi i barnave./ekofin.al







