Hetimet për vjedhjen e 69 milionë lekëve të reja në filialin e Postës Shqiptare në Durrës kanë marrë një tjetër drejtim. Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën për këtë çështje dhe ia ka kaluar dosjen Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për shkak të dyshimeve se pas ngjarjes mund të qëndrojë një grup i strukturuar kriminal.
Sipas informacioneve të raportuara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, hetimet kanë ngritur dyshime edhe për përfshirjen e mundshme të ish-zyrtarëve, të cilët aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar.
Ndërkohë, në një zhvillim tjetër të kësaj dosjeje, Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj. Nga “arrest në burg”, gjykata ka vendosur kalimin e saj në “arrest shtëpie”, pas kërkesës së paraqitur nga vetë ajo dhe mbrojtja e saj.
Mbrojtja ka kundërshtuar pretendimet e prokurorisë se provat e mbledhura gjatë hetimit rëndojnë pozitën procedurale të Matajt, e cila ndodhej në paraburgim që prej 18 korrikut.
Ajo hetohet për vjedhjen në bashkëpunim, përmes shpërdorimit të detyrës, të 69 milionë lekëve, të cilat ishin fonde të destinuara për qytetarët në degët e Postës Shqiptare në Shijak dhe Krujë.
Në kuadër të së njëjtës çështje po hetohen edhe ish-shefja e financës, Valbona Duni, si dhe arkëtarja Paola Dana. Të dyja ndodhen nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Kalimi i dosjes në SPAK pritet të thellojë hetimet për të zbardhur nëse vjedhja është pjesë e një skeme më të gjerë kriminale, si dhe për të verifikuar përfshirjen e mundshme të personave të tjerë, mes tyre edhe ish-zyrtarë me imunitet parlamentar.







