Kompania e kateringut “SORI-AL” ka reaguar pas rastit të dytë të helmimeve që ndodhi sot në Akademinë e Sigurisë, ku 60 kursantë u paraqitën në spital e simptoma helmimi, që dyshohet se ka ardhur nga ushqimi.
Në deklaratën e saj, kompania heq përgjegjësinë nga vetja duke ngritur dyshime se disa nga kursantët mund të kenë konsumuar ushqime të sjella nga jashtë sistemit të kontraktuar të furnizimit, duke e cilësuar këtë si një element që duhet të jetë pjesë e hetimit.
Në të njëjtën kohë, “SORI-AL” mbron reputacionin e saj duke deklaruar se përgatit dhe shpërndan mbi 1.000 racione ushqimore në ditë dhe se operon prej më shumë se 23 vitesh në sektorin e kateringut për institucionet publike.
Kompania fajëson Akademinë e Sigurisë për mungesën e kushteve bazë higjieno-sanitare.
“Kjo është hera e dytë që raportohet një episod i tillë në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Pikërisht për këtë arsye, edhe pas ngjarjes së muajit maj, Shoqëria “SORI-AL” Sh.p.k mori masa të shtuara kontrolli dhe monitorimi të proçesit të prodhimit, transportit, shpërndarjes dhe konsumimit të ushqimit, duke forcuar autokontrollin dhe mbikëqyrjen në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor.
Në këtë kuadër, i bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të Akademisë së Sigurisë që, krahas hetimit të kësaj ngjarjeje, të forcojnë monitorimin e respektimit të rregullave për konsumimin e ushqimit brenda institucionit, duke garantuar që të mos futen dhe konsumohen produkte ushqimore nga burime të pakontrolluara.
Po ashtu, nga monitorimet dhe verifikimet e kryera nga stafi ynë gjatë ofrimit të shërbimit është konstatuar se procesi i konsumimit të ushqimit zhvillohet në kushte ku mungojnë disa elementë bazë të kushteve higjieno-sanitare, si mundësia për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent përpara konsumimit të vakteve. Gjithashtu, është vërejtur se në shumë raste studentët paraqiten për konsumimin e ushqimit menjëherë pas përfundimit të stërvitjes”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Kjo është hera e dytë që përsëritet skandali, pasi në muajin maj të këtij viti 52 studentë të Akademisë u helmuan pasi konsumuan vaktin e drekës të shërbyer nga “SORI-AL”.








