Një tjetër rast i trafikimit të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë është goditur nga Policia e Durrësit në kuadër të operacionit të koduar “Anchor 2”.
Gjatë kontrollit të një kontejneri të ardhur nga Kanadaja në Portin e Durrësit, brenda të cilit ndodheshin dy automjete dhe një kamper, autoritetet zbuluan një sasi prej 107.7 kilogramësh kanabis të llojit “Gelato”.
Lënda narkotike ishte fshehur në hapësira të modifikuara të kamperit, të mbuluara me veshje druri. Në total, u gjetën 190 pako me cannabis sativa, ndërsa vlera e saj në treg përllogaritet në rreth 1.2 milionë euro.
Gjatë kontrollit u sekuestruan gjithashtu, në cilësinë e provës materiale, 43 cigare elektronike, disa prej të cilave mbanin mbishkrime që deklaronin përmbajtje të lartë THC.
Nga hetimet paraprake dyshohet se droga sigurohej në Kanada dhe transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në hapësira të posaçme të modifikuara në automjetet e porositura.
Në vijim të hetimeve, Policia ka shpallur në kërkim dy shtetas, të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Për arsye hetimi, autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet e tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.







