Prokuroria e Vlorës ka konfiskuar nëntë pasuri të paluajtshme në zonën e “Ujit të Ftohtë”, me një vlerë totale prej rreth 16 milionë eurosh, të cilat dyshohet se janë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara.
Pasuritë i përkisnin shtetasit me inicialet P.P., i cili është dënuar me 7 vite burg për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale dhe sipas hetimeve për procedimin penal nr. 946/2015, për njohjen dhe kthimin e një prone me sipërfaqe 32 mijë metra katrorë në zonën e “Ujit të Ftohtë” ishte përdorur një vendim gjyqësor i falsifikuar.
Pas regjistrimit të pronës në vitin 2009, janë kryer një sërë veprimesh juridike për ndarjen, tjetërsimin dhe kalimin e saj në emër të personave të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të pasurisë.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria kërkoi konfiskimin e pronës fillestare prej 32 mijë metrash katrorë, si dhe të të gjitha pasurive të tjera që rridhnin prej saj. Kërkesa u pranua nga gjykata, duke bërë të mundur kalimin e tyre në pronësi të shtetit.








