Taksistët do të protestojnë të mërkurën, më 11 nëntor, në orën 10:00, në sheshin “Nënë Tereza”, duke kërkuar reagimin e institucioneve për problematikat që, sipas tyre, po e çojnë sektorin drejt falimentimit.
Protesta është organizuar nga Sindikata e Transportit Taksi të Shqipërisë, e cila pretendon se kërkesat e përsëritura të përfaqësuesve të këtij sektori nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet përgjegjëse.
Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Punonjësve të Transportit të Shqipërisë, Gëzim Karanxha, ka renditur një sërë shqetësimesh që lidhen me funksionimin e shërbimit taksi. Mes tyre janë numri i lartë i licencave, cilësia e karburanteve, barra e taksave dhe mungesa e hapësirave të dedikuara për qëndrimin e automjeteve taksi.
Karanxha paralajmëroi se shërbimi taksi po shkon drejt falimentimit, ndërsa ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si operojnë disa prej kompanive të mëdha në treg.
Sipas tij, këto shoqëri përfitojnë një numër të konsiderueshëm licencash, por nuk zbatojnë kriteret për punësimin dhe respektimin e orarit të punës së shoferëve.
Përmes protestës, taksistët synojnë të tërheqin vëmendjen e institucioneve ndaj kushteve në të cilat operojnë dhe të kërkojnë zgjidhje për problematikat që, sipas tyre, po kërcënojnë vazhdimësinë e aktivitetit të tyre.







