Thursday, September 24, 2026
  • Login
Maska.al
Advertisement
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
Maska.al
No Result
View All Result
Home AKTUALITET

Përtej paragjykimeve: Historia e Tarkanit, të riut që kërkon të ndryshojë shoqërinë

Redaktor Redaktor by Redaktor Redaktor
in AKTUALITET
0
Përtej paragjykimeve: Historia e Tarkanit, të riut që kërkon të ndryshojë shoqërinë
0
SHARES
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Rovena Kalaja

​Për Tarkanin, të jetosh me autizëm nuk do të thotë të jesh i paaftë. Përkundrazi, e gjithë jeta e tij është kthyer në një përpjekje të vazhdueshme për të dëshmuar se kur një person ka mbështetjen dhe mundësitë e duhura, ai mund të arsimohet, të punojë, të merret me sport dhe të ndërtojë një jetë të pavarur.

​Rrugëtimi i tij nis në Turqi, ku lindi dhe kaloi vitet e para të fëmijërisë, me një emër të zgjedhur nga gjyshi. Familja e tij u shpërngul nga Shqipëria në vitin 1997, por vështirësitë me dokumentacionin dhe pengesat për të siguruar qasje të plotë në shërbimet publike bënë që Tarkani të rikthehej në vendlindjen e prindërve kur ishte rreth shtatë vjeç.

​Në Turqi, ai kishte ndjekur terapi dhe programe rehabilitimi në një institucion të specializuar për fëmijët në spektrin e autizmit. Nga ajo periudhë, ai ruan jo vetëm kujtimin e mbështetjes profesionale, por edhe të trajtimit njerëzor me dinjitet.

​“Njerëzit atje ishin shumë pozitivë dhe përpiqeshin të na mësonin. Kujdeseshin edhe për transportin tonë”, sjell në mend ai.

​Rikthimi në Shqipëri e përballi menjëherë me një realitet tjetër. Ndryshimi mes dy vendeve në shërbimet sociale, terapitë dhe mbështetjen financiare për familjet ishte tronditës.

​“Kur e krahasova me Shqipërinë, kuptova se ndryshimi ishte si nata me ditën. Sistemi këtu kishte shumë boshllëqe dhe shumë peripeci”, shprehet Tarkani.

​Vitet e shkollës: Përballja me paragjykimet

​Qasja në sistemin arsimor shqiptar nuk erdhi pa pengesa. Lëvizjet e shpeshta të familjes e detyruan të ndryshonte disa shkolla, duke e përballur jo vetëm me mjedise të reja, por edhe me bullizëm e paragjykime.

​Në bankat e shkollës, ai shquhej për përqendrim dhe vlerësohej nga mësuesit si për rezultatet, ashtu edhe për sjelljen e mënyrën se si i kuptonte gjërat. Megjithatë, ura e komunikimit me bashkëmoshatarët mbeti e vështirë.

​“Mësuesit më lavdëronin për mësimet, sjelljen dhe mënyrën se si i kapja gjërat. Por nga nxënësit nuk merrja gjithmonë të njëjtin vlerësim”, kujton ai.

​Gjatë kësaj periudhe, Tarkani zgjodhi të tërhiqej. Pas mësimit, ai izolohej për orë të tëra mbi libra, duke kryer detyrat e duke mësuar. Sot, këtë përkushtim të jashtëzakonshëm e vështron edhe me një dozë autokritike:

​“Një gjë që e konsideroj si pendesë është fakti që u fokusova shumë te shkolla. Isha i hiperfokusuar, deri në pikën e fiksimit”, thotë ai.

​Kthesa pozitive erdhi gjatë gjimnazit, ku nisi të ndihej më i pranuar dhe më pak i gjykuar. Për herë të parë, krijoi ndjesinë se mund të ishte pjesë e një grupi, pa pasur nevojë të fshihte identitetin e tij.

​“Kam pasur njerëz që më kanë kuptuar, më kanë mbështetur dhe më kanë pranuar ashtu siç jam. Më kanë bërë të kuptoj se nuk jam vetëm”, shprehet ai.

​Ndikimi i pandemisë dhe izolimit social shkroi një faqe të errët në gjendjen e tij emocionale, deri në lindjen e mendimeve vetëvrasëse, të cilat ai i shprehu në një postim publik. Reagimi i menjëhershëm i një bashkëmoshatari, i cili njoftoi mësuesen dhe familjen, u bë shkak për ta shpëtuar. Kjo përvojë i tregoi Tarkanit se vëmendja dhe reagimi në kohë mund të jenë vendimtarë për një person në krizë emocionale.

​Shkencat politike dhe ëndrra për Parlamentin

​Pas shkollës së mesme, rruga e tij vazhdoi në fakultetin e Shkencave Politike, ku studioi me mbështetje financiare dhe bursë për rezultate të larta. Interesi i tij për politikën kishte lindur që fëmijë, kur ndiqte lajmet shqiptare nga Turqia.

​“Shihja në lajme varfëri, skamje dhe krime. Kur erdha këtu dhe fillova t’i përjetoja vetë këto probleme, u binda edhe më shumë se gjërat duhet të ndryshojnë”, thotë ai.

​Ai mori pjesë në protesta studentore dhe u angazhua për një periudhë në një organizatë politike. Edhe pse më vonë u tërhoq për shkak të angazhimeve personale, dëshira për të kontribuar në jetën publike mbeti e paprekur. Ai synon të ndërtojë një karrierë në administratën shtetërore ose në politikë, pa e përjashtuar mundësinë që një ditë të jetë pjesë e Kuvendit.

​“Do të doja të krijoja një karrierë brenda institucioneve shtetërore dhe, pse jo, një ditë të isha pjesë e Parlamentit”, shprehet ai.

​Kjo ambicie nuk është vetëm personale, por një mesazh për përfaqësimin e të gjithë komunitetit:

​“Nëse punohet me ta dhe u jepen dashuria, mbështetja dhe durimi i nevojshëm, personat me aftësi të kufizuara mund të arrijnë shumë. Mund të punojnë kudo, përfshirë edhe në institucionet shtetërore.”

​

Nga aktivizmi shoqëror te dorezat e portierit në SHBA

​Aktivizmi i tij shtrihet edhe në shoqatat për personat në spektrin e autizmit, ku ka shërbyer si moderator e protagonist në takime, festivale, koncerte dhe shfaqje teatrale.

​Një nga kapitujt më të veçantë ishte përfaqësimi i Shqipërisë në një turne futbolli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shërbeu si portieri kryesor i ekipit kombëtar të personave me aftësi të kufizuara intelektuale.

​“Ishte një përvojë shumë e bukur. Pamë vende të reja, njohëm njerëz dhe si ekip arritëm rezultate shumë të mira”, tregon ai.

​Me tri fitore dhe një barazim, ekipi arriti deri në ndeshjen për vendin e tretë, të cilën e fituan përballë Zelandës së Re. Përvoja në portë i mësoi Tarkanit edhe peshën e përgjegjësisë kolektive:

​“Në futboll, kur ekipi humbet, pesha më e madhe e fajit bie mbi portierin, sepse thuhet se ai i pësoi golat. Por përpara portierit janë lojtarët e tjerë dhe secili ka përgjegjësinë e vet.”

​Sfidat në tregun e punës

​Rruga drejt punësimit pati gjithashtu uljet dhe ngritjet e veta. Pas njoftimit nga një shoqatë për një vend të lirë pune në një kompani teknologjike (që ofronte shërbime si faqe interneti, aplikacione e programe), ai kaloi fazën e intervistës dhe hyri në periudhë prove.

​Përshtatja ishte aq e shpejtë, sa brenda pak ditësh iu ofrua kontrata e punës.

​“Ata kishin pasur raste kur njerëzit qëndronin dy ose tre muaj në provë dhe përsëri nuk e mësonin punën. Unë e kapa shumë shpejt, prandaj më thanë se do të më merrnin menjëherë në punë”, tregon ai.

​Ai punoi në shitje dhe marketing përmes postës elektronike, ku u ndje i pranuar dhe i mbështetur nga kolegët. Mirëpo, një përvojë tjetër në një qendër telefonike i tregoi anën tjetër të medaljes, ku presioni dhe kufizimet e detyruan të largohej.

​“Më vinte keq, por nuk mund ta bëja atë punë. Nuk ndihesha rehat dhe kuptova se nuk ishte për mua… Duhet t’i lësh njerëzit të krijojnë dhe të shprehin veten. Nuk duhet t’i ngurtësosh me rregulla dhe presion.”

 

 

​Kërkimi i pavarësisë dhe arti i të shkruarit

​Qëllimi përfundimtar madhor i Tarkanit është pavarësia: të ketë shtëpinë e vet dhe të ndërtojë një familje. Ai beson se mbrojtja e tepërt prindërore mund të bëhet pengesë.

​“Unë mund të jem fëmija i prindërve të mi, por kjo nuk do të thotë se jam ende fëmijë. Jam i rritur dhe dua të ndërtoj jetën time”, thotë ai, ndërsa kërkon më shumë asistence shtetërore me kujdestarë për familjet, me qëllim që prindërit të mund të punojnë dhe fëmijët të mos izolohen.

​Në kohën e lirë, ai i kthehet leximit dhe shkrimit. Poezia dhe ditari janë dritaret e tij të komunikimit. Tarkani ka botuar tashmë një vëllim poetik mbi realitetin e tij dhe atë shoqëror, libër i cili u prit mirë dhe u shit plotësisht, ndërsa ka përfunduar edhe një libër të dytë në prozë që pret të shohë dritën e botimit.

​“Shkruaj poezi, prozë dhe, kur kam momente të vështira, shkruaj në ditar. Aty shpreh gjërat që ndoshta nuk mund t’ia them një personi tjetër”, rrëfen ai.

​“Mos hamendësoni pa na dhënë mundësinë”

​Në mbyllje, Tarkani godet paragjykimin më të madh që rëndon mbi personat me aftësi të kufizuara: kufizimet e vendosura pa u testuar më parë.

​“Njerëzit dëgjojnë ‘aftësi e kufizuar’ dhe menjëherë hamendësojnë se janë shumë gjëra që ne nuk mund t’i bëjmë. Këtë e vendosin pa na provuar dhe pa na testuar.”

​Thirrja e tij për të rinjtë është që të mos dorëzohen:

​“Shpesh mund të ndiheni sikur bota juaj është shembur dhe asgjë nuk do të rregullohet. Jepini kohë vetes, punoni me durimin dhe emocionet tuaja. Jeta nuk ka mbaruar.”

​Për prindërit, mesazhi i tij është i qartë:

​“Jepuni dashuri, mbështetje, kurajë dhe durim. Mos mendoni vazhdimisht se çfarë do të ndodhë kur ju të mos jeni më. Nëse punoni me ta dhe i përgatisni për jetën, fëmijët tuaj mund ta gjejnë rrugën e tyre.”

​Historia e Tarkanit nuk është thjesht një histori personale. Është dëshmia e një të riu që përmes arsimit, punës, sportit dhe aktivizmit kërkon që shoqëria të mos e gjykojë nga diagnoza, por nga mundësitë që i jepen dhe nga ato që arrin të ndërtojë me to.

Previous Post

Darian Konomi: Nuk ka heronj, ka njerëz që kanë marrë mundësi

Next Post

Jeta e Jetmir Kokollarit, bilanci ideal mes pluseve dhe minuseve

Next Post
Auto Draft

Jeta e Jetmir Kokollarit, bilanci ideal mes pluseve dhe minuseve

Shkarkohet Ilir Topi/ Ish-drejtuesja e CFO Pharma, Rexhina Bici pritet të drejtojë Fondin e Sigurimeve
AKTUALITET

Shkarkohet Ilir Topi/ Ish-drejtuesja e CFO Pharma, Rexhina Bici pritet të drejtojë Fondin e Sigurimeve

by Redaktor Redaktor
September 24, 2026
0

Shkarkohet nga detyra Ilir Topi, drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSKDSH). “Boldnews.al” mëson se vendimi...

Read moreDetails
Adelajda Roka, drejtoresha e Ramës, 5 leje për kulla klanit Çela-Çopja, ka shtëpi në resortin e sekuestruar

Adelajda Roka, drejtoresha e Ramës, 5 leje për kulla klanit Çela-Çopja, ka shtëpi në resortin e sekuestruar

August 12, 2025
Ergys Agasi i ka blerë Grida Dumës makinë 150 mijë euro?

Ergys Agasi i ka blerë Grida Dumës makinë 150 mijë euro?

September 24, 2026
Fotot, zyrtari i policisë dhe biznesmeni nga Durrësi, ja kush janë personat e arrestuar pas aksionit të SPAK

Fotot, zyrtari i policisë dhe biznesmeni nga Durrësi, ja kush janë personat e arrestuar pas aksionit të SPAK

September 22, 2026
Si po i shpëton hetimit të SPAK Adrian Bardhi i “Pascucci”; ortaku i Ergys Agasit te “Dinamo“ dhe pjesë e grupit të tij kriminal

Si po i shpëton hetimit të SPAK Adrian Bardhi i “Pascucci”; ortaku i Ergys Agasit te “Dinamo“ dhe pjesë e grupit të tij kriminal

September 23, 2026
Facebook TikTok
Maska.al

Maska.al

Tel: 0696118290
Email: [email protected]

Shfletoni sipas Kategorisë

Lajmet e fundit

Auto Draft

Jeta e Jetmir Kokollarit, bilanci ideal mes pluseve dhe minuseve

September 24, 2026
Përtej paragjykimeve: Historia e Tarkanit, të riut që kërkon të ndryshojë shoqërinë

Përtej paragjykimeve: Historia e Tarkanit, të riut që kërkon të ndryshojë shoqërinë

September 24, 2026

© 2023 Maska.al

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit

© 2023 Maska.al