Thursday, September 24, 2026
  • Login
Maska.al
Advertisement
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
Maska.al
No Result
View All Result
Home AKTUALITET

Darian Konomi: Nuk ka heronj, ka njerëz që kanë marrë mundësi

Redaktor Redaktor by Redaktor Redaktor
in AKTUALITET
0
Darian Konomi: Nuk ka heronj, ka njerëz që kanë marrë mundësi
0
SHARES
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Rovena Kalaja

Në vend që ta nisë rrëfimin duke renditur diplomat, vendet ku ka punuar apo arritjet e tij profesionale, ai zgjedh të ngrejë një sipar paralajmërues.

​“Nuk ka gjeni, nuk ka heronj. Ka njerëz që kanë marrë mundësi dhe njerëz që nuk kanë marrë mundësi”, thotë ai.

​Kjo fjali nuk përmbledh vetëm udhëtimin e tij jetësor, por edhe optikën me të cilën e sheh aftësinë e kufizuar, suksesin dhe përgjegjësinë që rëndon mbi shoqërinë. Ai refuzon kategorikisht të paraqitet si një rast i jashtëzakonshëm apo të mbështillet me superlativat që mediat shpesh përdorin me lehtësi për personat me aftësi të kufizuara, duke i etiketuar si “heronj”, “gjeni” apo “frymëzim”, ndërsa problemet e tyre të përditshme mbeten të pazgjidhura dhe shpesh jashtë çdo konsiderate.

​Sot ai është një gazetar i formuar, specialist komunikimi, aktivist, oficer advokimi, trajner futbolli i diplomuar nga UEFA dhe prind. Por rruga drejt këtyre arritjeve nisi në një bankë shkolle ku, si fëmijë, dënohej fizikisht vetëm sepse nuk shkruante dot me dorën e djathtë.

​Një fëmijëri përballë murosjes së paragjykimit

​Ai lindi me një dëmtim fizik të shkaktuar nga mungesa e oksigjenit gjatë lindjes, çka i solli vështirësi në lëvizshmërinë e krahut të djathtë. Prindërit e tij, nëna ekonomiste dhe babai inxhinier, e kuptuan që në krye të herës se dëmtimi ishte tërësisht fizik dhe nuk prekte aftësitë e tij intelektuale. Megjithatë, në Shqipërinë e sistemit komunist, institucionet arsimore nuk mund të shihnin përtej diagnozës.

​Në atë kohë mbizotëronte i ashtuquajturi “model mjekësor” i aftësisë së kufizuar: vëmendja përqendrohej te dëmtimi fizik, te patericat apo karroca, por kurrë te përfshirja sociale, zhvillimi dhe potenciali i individit.

​Kur familja kërkoi ta regjistronte në shkollë, institucionet u ofruan vetëm dy rrugë: ose një shkollë speciale, ose fillimin e arsimit me disa vite vonesë.

​“Në të dyja rastet ishte diskriminim”, kujton ai.

​Vetëm këmbëngulja e palëkundur e nënës dhe presioni i familjes bënë të mundur që ai të ulej për herë të parë në bankat e shkollës “Kosova”, në moshën shtatëvjeçare. Por dyert e hapura të shkollës nuk sollën përfshirje. Përkundrazi, aty nisi ajo që ai e quan një “kalvar”.

​Vizorja mbi dorën që nuk lëvizte dot

​Në klasë, mësuesja e detyronte të shkruante me dorën e djathtë, megjithëse dëmtimi i lindur ia kufizonte fiziologjikisht lëvizjen e këtij krahu.

​“Nuk mund t’i bëja ato që më kërkoheshin. Për këtë jam dënuar, jam rrahur dhe jam poshtëruar”, tregon ai.

​Në kujtesën e tij kanë mbetur të gdhendura goditjet e përsëritura me vizore mbi dorë dhe urdhri absurd për të realizuar diçka pë të cilën truli i tij nuk i përgjigjen. Megjithatë, ai nuk ia ngarkon të gjithë fajin individualisht mësueses. Ai e adresonte problemin te mungesa e plotë e një sistemi vlerësimi dhe mbështetjeje.

​Nuk ekzistonte asnjë ekip multidisiplinar; nuk kishte psikolog, punonjës social apo plan individual arsimor. Nuk kishte asnjë strategji për ta bërë fëmijën të pavarur në të ardhmen.

​“Askush nuk mendonte se fëmija që sot është tetë vjeç, nesër mund të punojë dhe të kontribuojë në shoqëri”, thotë ai.

​Edhe marrja e notave kthehej në një ekzekutim publik të dinjitetit. Mësuesit i lexonin notat me zë të lartë përpara të gjithë klasës, duke e stampuar vazhdimisht si nxënësin më të dobët. Sot, si aktivist dhe profesionist i çështjeve sociale, ai e sheh këtë si një shkelje të hapur të privatësisë dhe dinjitetit të fëmijës në një sistem që propagandonte barazinë, por shtypte diversitetin.

​Sakrifica sublime e prindërve

​Pas klasës së dytë, prindërit e tij e kuptuan se qëndrimi në Shqipëri do t’i shkatërronte përfundimisht të ardhmen. Ata morën vendimin e vështirë për të emigruar drejt Greqisë, një hap që kërkonte braktisjen e karrierave, statusit shoqëror dhe gjithçkaje që kishin ndërtuar.

​Nëna e tij, një ekonomiste e kualifikuar, u detyrua të punonte në kushte të rënda duke pastruar shtëpi, ndërsa i ati la pas profesionin dhe pozicionin e tij si inxhinier.

​“Dilema ishte: do të vazhdonin karrierën dhe fëmija i tyre do të vuante, apo do ta shkatërronin karrierën dhe do ta nisnin jetën nga e para?”, shprehet ai.

​Në prapaskenë, ai e di se emigrimi ishte i dhimbshëm, por mbetet një nga vendimet më të mira që prindërit morën për jetën e tij.

​Përqafimi që ndryshoi rrjedhën e një jete

​Përballja e parë me sistemin arsimor grek i tregoi se një realitet tjetër nuk ishte utopi. Përpara se të regjistrohej, ai u vlerësua nga një ekip multidisiplinar i përbërë nga psikologë, punonjës socialë dhe pedagogë. Pas intervistimit dhe testeve, specialistët konstatuan se vështirësia e tij ishte thjesht fizike, ndërsa aftësitë intelektuale përputheshin me një nivel edhe më të lartë shkollor.

​Për herë të parë, askush nuk e gjykoi nga krahu që nuk lëvizte si i të tjerëve, por nga ajo që kishte në mendje dhe kapaciteti për të mësuar.

​“Ishte hera e parë që kuptova se problemi nuk isha unë”, thotë ai.

​Kjo kthesë psikologjike i dha një trajektore të re: “Kur kupton se problemi nuk je ti, kupton se jetën e ke në duart e tua.”

​Një moment i dytë emocional mbetet i pashlyeshëm. Mësuesi i tij i ri mori fletoren me shkrimin e tij të vështirë për t’u lexuar dhe i tha:

“Pavarësisht problemeve që ke, është detyra ime t’i kuptoj shkronjat e tua. Do të luftojmë të dy dhe do t’ia dalim.”

​Pasi shqiptoi këto fjalë, mësuesi e përqafoi. Fëmija që në Shqipëri ishte goditur me vizore mbi dorë sepse nuk shkruante dot si të tjerët, po dëgjonte nga mësuesi i tij se ishte përgjegjësi e shkollës ta kuptonte dhe ta ndihmonte.

​“Kam qarë nga gëzimi”, kujton ai.

​Klasa e tretë iu kthye në një nga vitet më të bukura të jetës. Nga fëmija që etiketohej si më i dobiëti, ai u kthye në një shembull përpjekjeje dhe rezultatesh.

​“Në Shqipëri vlerësohesha për mënyrën se si shkruaja, jo për atë që mund të jepja”, kujton ai.

​Nga emigrant në gazetar dhe aktivist

​Pasi jetoi jashtë Shqipërisë për rreth 18 vjet, ai studioi për gazetari në Athinë dhe më pas përfundoi studimet e nivelit master për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Romë. U diplomua gjithashtu nga UEFA si trajner futbolli, punoi si oficer advokimi në Caritas, si menaxher komunikimi dhe në struktura që mbronin të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

​Rreth vitit 2009, ai mori vendimin të kthehej në Shqipëri. Ky nuk ishte thjesht një rikthim gjeografik, por zgjedhja e vetëdijshme për të vënë përvojën personale në shërbim të njerëzve që vazhdonin të përballeshin me të njëjtat pengesa.

​Sot, ai punon në një institucion shtetëror, një tregues se disa gjëra kanë ndryshuar nga vitet ’90, por jo se beteja ka përfunduar. Ligjet ekzistojnë, por zbatimi i tyre çalon. Shërbimet mbeten të pamjaftueshme, familjet vazhdojnë të mbajnë barrën kryesore dhe shumë prindër e shohin ende emigrimin si rrugën e vetme për t’u siguruar arsim e kujdes fëmijëve të tyre.

​“Duhet të ndërtojmë modele që asnjë prind të mos detyrohet të largohet nga Shqipëria për shkak se fëmijës së tij i mungojnë shërbimet”, thekson ai.

​Refuzimi i mitit të “heroit”

​Në veprimtarinë e tij, ai mbetet mjaft kritik ndaj mënyrës se si mediat e pasqyrojnë aftësinë e kufizuar. Ai refuzon të kthehet në një fenomen, gjeni apo hero mediatik, sepse superlativat krijojnë shikueshmëri, por nuk ndryshojnë asnjë realitet.

​“Mediat japin superlativa për aftësinë e kufizuar, por ndërkohë nuk bëjnë asgjë realisht për atë që duhet bërë”, shprehet ai.

​Sipas tij, roli i medias duhet të jetë promovimi i shembujve të suksesit pa i mitizuar ata, tregimi i modeleve pozitive, evidencimi i njerëzve që duan të punojnë dhe kërkimi i llogarisë për zbatimin e politikave sociale.

​Ai beson se advokimi i vërtetë nuk bëhet me retorikë apo britma, por mbi argumente, ligje, të dhëna dhe kosto financiare të mirëmenduara:

“Advokimi nuk bëhet vetëm me ulërima. Duhet të kesh argumentin dhe, mundësisht, edhe kostot përkatëse.”

​Në themel të angazhimit të tij qëndron parimi i madh i Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara: “Asgjë për ne, pa ne.” Personat me aftësi të kufizuara nuk mund të trajtohen thjesht si përfitues pasivë, por si pjesëmarrës aktivë në hartimin, diskutimin dhe zbatimin e politikave që u përkasin atyre.

​Një detyrim moral ndaj brezit të ri

​Sot, ai është edhe baba i një djali të quajtur Aleksandër, me të cilin jeton në Shqipëri. Prindërimi ia ka forcuar më tej ndjenjën e përgjegjësisë qytetare. Për të, nuk mjafton që ai personalisht të ketë siguruar një punë, një familje dhe një jetë të qëndrueshme.

​“Lumturia nuk mund të rrijë vetëm te dera e shtëpisë sime”, thotë ai.

​Ai e ndien si detyrim t’u shtrojë rrugën jo vetëm djalit të tij, por të gjithë të rinjve që vijnë pas, që ata të trashëgojnë një shoqëri me më pak frikë dhe më shumë mundësi. Prindërit e brezit të kaluar u rritën nën hijen e komunizmit dhe frikën si mënyrë jetese, por të rinjtë e sotëm kanë mjetet për ta refuzuar servilizmin si kulturë.

​Për këtë arsye ai vazhdon të flasë, të shkruajë në rrjetet sociale, të trajnojë grupe dhe të përfshihet vullnetarisht në çështjet e sociale. Jo sepse e sheh veten si hero, por sepse e di saktësisht se çfarë çmimi paguan një fëmijë kur shoqëria nuk i jep një mundësi.

​Historia e tij përmbledh përplasjen mes dy sistemeve arsimore, sakrificën e një familjeje dhe ndryshimin rrënjësor që sjell një mësues kur në vend të ndëshkimit zgjedh mbështetjen. Nga njëra anë është vizorja që godet dorën e fëmijës sepse nuk shkruan dot; nga ana tjetër është mësuesi që e përqafon dhe merr përsipër ta kuptojë shkrimin e tij.

​Mes këtyre dy pamjeve qëndron e gjithë jeta e tij dhe kufiri që ndan një shoqëri që e sheh aftësinë e kufizuar si barrë, nga një shoqëri që i jep çdo njeriu mundësinë për të kontribuar.

Previous Post

Briken Hasimi, djali që e vizatoi vetë ëndrrën e tij

Next Post

Përtej paragjykimeve: Historia e Tarkanit, të riut që kërkon të ndryshojë shoqërinë

Next Post
Përtej paragjykimeve: Historia e Tarkanit, të riut që kërkon të ndryshojë shoqërinë

Përtej paragjykimeve: Historia e Tarkanit, të riut që kërkon të ndryshojë shoqërinë

Shkarkohet Ilir Topi/ Ish-drejtuesja e CFO Pharma, Rexhina Bici pritet të drejtojë Fondin e Sigurimeve
AKTUALITET

Shkarkohet Ilir Topi/ Ish-drejtuesja e CFO Pharma, Rexhina Bici pritet të drejtojë Fondin e Sigurimeve

by Redaktor Redaktor
September 24, 2026
0

Shkarkohet nga detyra Ilir Topi, drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSKDSH). “Boldnews.al” mëson se vendimi...

Read moreDetails
Adelajda Roka, drejtoresha e Ramës, 5 leje për kulla klanit Çela-Çopja, ka shtëpi në resortin e sekuestruar

Adelajda Roka, drejtoresha e Ramës, 5 leje për kulla klanit Çela-Çopja, ka shtëpi në resortin e sekuestruar

August 12, 2025
Ergys Agasi i ka blerë Grida Dumës makinë 150 mijë euro?

Ergys Agasi i ka blerë Grida Dumës makinë 150 mijë euro?

September 24, 2026
Fotot, zyrtari i policisë dhe biznesmeni nga Durrësi, ja kush janë personat e arrestuar pas aksionit të SPAK

Fotot, zyrtari i policisë dhe biznesmeni nga Durrësi, ja kush janë personat e arrestuar pas aksionit të SPAK

September 22, 2026
Si po i shpëton hetimit të SPAK Adrian Bardhi i “Pascucci”; ortaku i Ergys Agasit te “Dinamo“ dhe pjesë e grupit të tij kriminal

Si po i shpëton hetimit të SPAK Adrian Bardhi i “Pascucci”; ortaku i Ergys Agasit te “Dinamo“ dhe pjesë e grupit të tij kriminal

September 23, 2026
Facebook TikTok
Maska.al

Maska.al

Tel: 0696118290
Email: [email protected]

Shfletoni sipas Kategorisë

Lajmet e fundit

Auto Draft

Jeta e Jetmir Kokollarit, bilanci ideal mes pluseve dhe minuseve

September 24, 2026
Përtej paragjykimeve: Historia e Tarkanit, të riut që kërkon të ndryshojë shoqërinë

Përtej paragjykimeve: Historia e Tarkanit, të riut që kërkon të ndryshojë shoqërinë

September 24, 2026

© 2023 Maska.al

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit

© 2023 Maska.al