Pasqyrë moj pasqyrë, cili është shteti me rritjen më të lartë në Ballkan?:
“Padyshim që është Shqipëria, me një zgjerim prej 3.7%, duke lënë pas Kosovën (3.6%), Maqedoninë e Veriut (3.5%), Malin e Zi (2.7%), Bosnjë-Hercegovinën (2.4%) dhe Serbinë 2%”, përgjigjet pasqyra, duke ndriçuar.
“Pasqyrë moj pasqyrë, cili është vendi që i ka trefishuar të ardhurat për frymë që nga viti 2013, duke ecur më shpejt se mesatarja e Ballkanit Perëndimor?”. “Shqipëria, natyrisht”, përgjigjet pasqyra dhe shton edhe disa ndriçues.
“Pasqyrë, mos pasqyrë, atëherë si e shpjegon ti që Shqipëria, me gjithë këto arritje, ka çmimet e ushqimeve më të larta se mesatarja e BE-së, rritje shumë të ulët të të ardhurave për frymë sipas fuqisë blerëse, emigracion të lartë dhe një nga rëniet më të forta të popullsisë në Europë në tri dekadat e fundit?”
Pasqyra, – e cila është prezantuar pikërisht si një platformë që do të rrisë transparencën dhe do t’u japë qytetarëve një pamje të drejtpërdrejtë të çmimeve në treg, – pulit ekranin, kërkon disa sekonda për përditësim dhe përgjigjet:
“Unë jam krijuar nga qeveria për t’u treguar qytetarëve ku janë çmimet më të lira, jo për të shpjeguar pse janë kaq të shtrenjta. Por, po deshët një përgjigje të shpejtë, fajin e kanë importuesit, furnitorët dhe supermarketet. Me pak fjalë, kulakët e rinj të ekonomisë së tregut. Qeveria rriti ekonominë, ata shtrenjtuan çmimet”.
Meqë pasqyra nuk na dha përgjigje, po përpiqemi ta gjejmë vetë.
Rritja ekonomike e viteve të fundit është mbështetur fort te ndërtimi, konsumi, shpenzimet publike dhe taksat. Në vitin 2025, taksat neto dhe administrata publike sollën 77% të rritjes ekonomike. Rritja e pagave në administratë shtoi konsumin, të ardhurat nga tatimet e kontributet dhe presionin mbi bizneset private për të bërë të njëjtën gjë.
Por biznesi nuk i rriti pagat vetëm sepse e frymëzoi qeveria. I rriti sepse punonjësit po largoheshin.
Emigracioni krijoi mungesë të fuqisë punëtore dhe pagat u rritën pa u shoqëruar me të njëjtin përmirësim të produktivitetit. Për ndërmarrjet prodhuese kjo do të thotë kosto më të larta, konkurrueshmëri më të ulët dhe, në fund, çmime më të shtrenjta.
Këtu fillon të kriset pasqyra. Të ardhurat nominale për frymë mund të trefishohen edhe nga rritja e çmimeve, forcimi i lekut dhe zvogëlimi i numrit të banorëve mes të cilëve pjesëtohet ekonomia.
Ndërkohë, sipas fuqisë blerëse, të ardhurat mbeten rreth 48% e mesatares së BE-së, kurse çmimet e ushqimeve arritën në vitin 2025 në 102.9% të mesatares europiane. Pra, të ardhura shqiptare dhe çmime europiane.
Ndërsa ndërtimi ngrihet kat pas kati, industria përpunuese ka hyrë në cikël negativ prej të paktën nëntë tremujorësh radhazi, periudha më e gjatë e rënies apo stanjacionit pas viteve ’90. Nëse prodhimi vendas dhe eksportet vazhdojnë të dobësohen, vendi rrezikon të kthehet në atë që vetë industrialistët e kanë quajtur “një supermarket i madh”: importojmë gjithçka, shesim shërbime dhe apartamente, ndërsa konsumatorët me të ardhurat më të ulëta paguajnë çmimet më të larta.
As rënia e euros nuk po kalon e plotë te konsumatori. Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, çmimi mesatar për kilogram i importeve të ushqimeve, pijeve dhe duhanit ra me 6.5%, por çmimet e ushqimeve në treg u rritën.
Në çmimin përfundimtar përfshihen edhe transporti, magazinimi, humbjet, qiratë, trafiku sezonal, karburanti ndër më të shtrenjtët në Europë dhe TVSH-ja 20% për ushqimet, kur shumë vende europiane zbatojnë norma të reduktuara.
Mbi të gjitha, futet dobësia e prodhimit vendas dhe varësia nga importet. Mund të ketë marzhe të tepruara apo sjellje spekulative, por ato nuk vërtetohen me deklarata, duhen kontrolluar faturat, zinxhiri i furnizimit dhe niveli i konkurrencës.
Prandaj çmimet nuk ulen me urdhër, me lista publike apo me portale që krahasojnë etiketat. Ulen kur ekonomia prodhon më shumë, kur bujqësia dhe industria bëhen konkurruese, kur rritja e pagave mbështetet te produktiviteti, kur përmirësohet logjistika, kur taksat mbi produktet bazë rishikohen dhe kur institucionet godasin abuzimin e provuar, jo armikun e shpallur.
Pasqyra e Arkimedit, sipas legjendës, dogji flotën armike duke kthyer mbi të rrezet e diellit. Pasqyra e Ramës po tenton të djegë spekulimin me çmimet. Por, teksa pas saj qëndron një ekonomi që prodhon pak dhe importon shumë, rrezja rrezikon të djegë, si gjithmonë, mbi xhepin e konsumatorit./ Monitor








