Këshilli i Sigurisë Kombëtare mblidhet sot në Pallatin e Brigadave, me thirrjen e Presidentit Bajram Begaj, në një kohë kur vendi po përballet me një prej çështjeve më të debatueshme që lidhen me Shërbimin Informativ të Shtetit.
Në fokus të mbledhjes është situata e sigurisë kombëtare dhe siguria e informacionit të klasifikuar, pas arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila ndodhet në masën “arrest në shtëpi” dhe akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”.
Por në tryezën ku do të diskutohet pikërisht për sigurinë kombëtare, nuk është përfshirë asnjë përfaqësues i opozitës.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi disa ditë më parë se nuk kishte marrë ftesë nga Presidenti për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Nuk kam marrë asnjë ftesë”, deklaroi Berisha.
Në rastin konkret, mbledhja lidhet drejtpërdrejt me një çështje që prek institucionin e inteligjencës së vendit dhe sigurinë e informacionit të klasifikuar. Megjithatë, në tryezë nuk është përfshirë një përfaqësues i opozitës, pavarësisht se ligji i jep Presidentit hapësirë për të ftuar persona të tjerë në raste të veçanta.
Anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare:
1. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj (kryeson Këshillin)
2. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi
3. Kryeministri, Edi Rama
4. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi
5. Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha
6. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu
7. Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo
8. Ministri i Financave, Erion Malaj
9. Ministri i Transportit, Enea Karakaçi
10. Ministri i Energjisë, Enea Karakaçi
11. Kryetari i Komisionit parlamentar për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Bledar Çuçi
12. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji
13. Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, Elvis Lila
14. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj








