Mbledhja e zgjeruar e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, e planifikuar për këtë të mërkurë në Pallatin e Brigadave, është anuluar, një ditë pas protestës së tensionuar të studentëve para Ministrisë së Arsimit dhe përplasjeve të dhunshme me policinë.
Takimi ishte thirrur nga kryeministri Edi Rama për orën 12:00 dhe pritej të mblidhte deputetët socialistë dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Sipas axhendës, diskutimet do të përqendroheshin te dy çështje të përcaktuara si “Prania Besnike” dhe “Pasqyra Albania”.
Anulimi i mbledhjes vjen në një klimë të tensionuar pas protestës së studentëve që kërkuan ndryshime në arsim dhe dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa u shoqërua me dhunë të paprecedentë nga policia.








