Në fund të shtatorit, një valë lajmesh alarmiste qarkulloi në mediat shqiptare dhe rajonale, duke pretenduar se CIA kishte paralajmëruar disa vende evropiane për sulme të mundshme ruse me dronë të nisur nga anije tregtare në Mesdhe.
Titujt u ndërtuan me një gjuhë të fortë, shpesh sensacionaliste, duke e zhvendosur kërcënimin nga një skenar hipotetik i raportuar nga një gazetë spanjolle, në një rrezik të menjëhershëm dhe të afërt me Shqipërinë.
Kjo mënyrë paraqitjeje nuk është e rastësishme: ajo ndjek logjikën e njohur të “narrativës së luftës”, ku informacioni i pjesshëm ose i bazuar në burime anonime amplifikohet për të krijuar tension.
Në këtë mënyrë, lexuesi futet në një atmosferë kërcënimi të vazhdueshëm, ku çdo zhvillim ndërkombëtar interpretohet si rrezik i drejtpërdrejtë për vendin
Disa nga titujt që qarkulluan:
- “Rusia do godasë pranë Shqipërisë? Alarm i CIA-s: Putini, gati të sulmojë Italinë, Francën e Spanjën“
- “Alarmi i CIA-s: Rusia po përgatitet për të sulmuar me dronë nga deti Spanjën, Francën ose Italinë“
- “Trondit CIA: Rusia planifikon të sulmojë me dronë tre shtete të Evropës“
- “Rusia kërcënon edhe Shqipërinë? Eksperti: Jemi vend aktiv i NATO-s, kemi sistem kundradron“
- “SHBA “plas BOMBËN”/ Rusia do të sulmojë Francën, Italinë dhe Spanjën“
- “Rusia, dronë kundër Italisë, Spanjës e Francës / CIA paralajmëron pas udhëtimit sekret“
El Mundo
Burimi fillestar i lajmit është një artikull i gazetës spanjolle El Mundo, nga gazetari Xavier Colás, ish-korrespondent në Rusi.

Sipas raportimeve që e citojnë këtë gazetë, shërbimet amerikane të inteligjencës dyshohet se kanë ndarë me disa qeveri evropiane një raport për një operacion të mundshëm rus kundër objektivave në Spanjë, Francë ose Itali.
Dronët Gerbera
Skenari i përshkruar parashikon përdorimin e dronëve Gerbera, të fshehur në kontenierë në anije tregtare dhe të lëshuar nga ujërat ndërkombëtare në Mesdhe drejt vendeve të përmendura.

Droni Gerbera përshkruhet si një mjet ajror relativisht i vogël, rreth 2 m i gjatë, me hapje krahësh rreth 2.5 m, peshë deri në 18 kg dhe rreze veprimi deri në 600 km. Sipas raportimeve, ngarkesa shpërthyese e tij do të ishte e kufizuar, rreth 4-5 kg.
Për këtë arsye, efekti i mundshëm i tij do të ishte më shumë ndërprerës dhe simbolik, si mbyllje e përkohshme aeroporti, zjarr ose dëmtim i pajisjeve të ekspozuara, sesa shkatërrim masiv.
CIA
Raportimet ndërkombëtare që e morën lajmin e lidhën paralajmërimin me CIA-n, por jo me një deklaratë publike të agjencisë amerikane. Defense News shkroi se artikulli i El Mundo bazohej në dëshminë e një burimi anonim lituanez dhe se raportimi “nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur”.
Edhe Euronews e paraqiti informacionin si raportim të gazetës spanjolle, duke sqaruar se detajet mbi dronin Gerbera vinin nga burime anonime në Ministrinë e Mbrojtjes së Lituanisë, të cituara nga El Mundo.
Deri tani, nuk ka asnjë deklaratë zyrtare të CIA-s që të konfirmojë se ka paralajmëruar Spanjën, Francën ose Italinë për një plan sulmi rus me dronë në Mesdhe.
Vendet e përfshira mohojnë
Franca dhe Italia e kanë mohuar qartësisht marrjen e një paralajmërimi të tillë.
Franca
Presidenti francez Emmanuel Macron i mohoi këto pretendime. “Po mund t’i mohoj, CIA nuk i ka informuar shërbimet franceze”, u shpreh Macron, sipas France24.
Macron megjithatë nuk mohoi rrezikun e përgjithshëm të kërcënimeve hibride ruse, duke thënë se Rusia po i shumëfishon aktet armiqësore dhe kriminale kundër vendeve evropiane.

Italia
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, reagoi në platformën X, duke shkruar: “Alarmi i ngritur këtë mëngjes nga një gazetë spanjolle, që hedh hipotezën për sulme të mundshme ndaj Italisë, Spanjës dhe Francës nga anije dhe dronë rusë, nuk i shërben askujt dhe nuk është aspak e konfirmuar. Jetojmë në kohë të vështira dhe ‘nervoze’, dhe askujt nuk i duhet më shumë benzinë në zjarr.”


Më 26 shtator, edhe ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani e ohoi ekzistencën e një alarmi konkret për sulme me dronë rusë ndaj Italisë. Tajani tha: “Nuk ka asnjë alarm në lidhje me sulmet ruse. Janë pretendime absolutisht të pabazuara.”
Ai bëri dallimin mes këtij pretendimi konkret dhe kërcënimeve hibride, duke shtuar: “Çështje tjetër është lufta hibride, sulmet kibernetike, sepse ato ekzistojnë. Por nuk kemi asnjë informacion për dronë që mund të përdoren kundër Italisë nga forcat e armatosura ruse. Absolutisht jo.”

NATO
NATO gjithashtu nuk ka konfirmuar publikisht skenarin e përshkruar nga El Mundo. Në përgjigje për Euronews, aleanca iu referua qëndrimeve të Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte, sipas të cilit kërcënimi rus ndaj territorit të NATO-s ekziston dhe është afatgjatë, por vendet evropiane duhet të qëndrojnë të qeta dhe të mos bien në panik.
Narrativa e luftës
Mënyra se si lajmi u përhap në media tregon qartë se si ndërtohet narrativa e frikës në kontekste gjeopolitike. Duke e paraqitur një skenar hipotetik si alarm të konfirmuar dhe duke e lidhur rrezikun me territorin shqiptar, mediat krijojnë një ndjesi urgjence që nuk mbështetet në fakte.
Ky lloj komunikimi ushqen ankthin kolektiv, sepse e vendos lexuesin në një gjendje të vazhdueshme pritjeje për një kërcënim të paqartë, të padukshëm dhe të pakontrollueshëm./ Faktoje.al, Jona Cenameri








