Dy persona, të moshave 53 dhe 67 vjeç, janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se modifikonin në mënyrë të paligjshme makinetat e lojërave të fatit, të cilat silleshin kontrabandë nga vendet fqinje.
Sipas Policisë, dy të arrestuarit, njëri prej të cilëve dyshohet si organizatori i aktivitetit, përdornin një magazinë të marrë me qira në zonën e Kodrës së Priftit për të ndërhyrë në pajisje përmes programeve ilegale.
Pas modifikimit, makinetat u shiteshin personave që organizonin lojëra fati.
Gjatë kontrollit në magazinë, policia sekuestroi 25 makinetat e lojërave të fatit, katër telefona celularë, dy laptopë dhe një njësi kompjuterike.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.








